Këngëtarja e njohur Juliana Pasha ishte e ftuara speciale në programin e fundit të “Dola te Ola” për këtë sezon. Përpara se artistja të rrugëtonte nëpër kujtime sikurse të ftuarit e tjerë të programit, u dha një përmbledhje me disa nga momentet më të bukura të këtij sezoni të “Dola te Ola”.

Juliana Pasha prej disa kohësh ka lokalin e saj në Tiranë, ku ajo performon për të gjithë ata që e duan artin e saj. Në hyrje të programit këngëtarja ndau detaje nga lokali i saj Lalaland, “Shtëpia ime është hapur një javë para se të fillonte pandemia, bëmë 7 dhe 8 Marsin dhe për dy vite ishim të mbyllur për shkak të Covid-19. “Lalaland Club” ndodhet te hotel Tirana në qendër. Është ambient i bukur”.

Këngëtarja zbuloi se “Lalaland Club” është një dhuratë nga bashkëshorti i saj Altini. Ajo kujtoi emocionet e mëdha që ndjeu kur në muret e lokalit pa fotografitë e saj të vendosura gjithandej.

Lalaland sapo ka mbyllur një sezon të suksesshëm, për t’u rikthyer në tetor me disa ndryshime, “Shtëpia ime do të jetë një shtëpi për të gjithë artistët që do të ngjiten në atë skenë”.

Në karrierën e saj të gjatë dhe të suksesshme, këngëtarja u shpreh se ka mundur t’ia dalë edhe falë mbështetjes së njerëzve që ajo ka patur pranë, duke filluar nga bashkëshorti i saj i cili drejton gjithçka, e duke vazhduar me vëllanë e saj dhe të Altinit.

Pjesë e rëndësishme e skuadrës së Julianës është edhe Miranda Dupi, kunata e saj e cila kujdeset për look-un e këngëtares. “Është stilistja ime prej më shumë se 10 vjetësh. Jam e bekuar, i kam të gjithë të pandarë. Është e pamundur t’i bësh gjërat vetëm, të duhet gjithmonë të kesh njerëzit e duhur. Ata janë familje dhe stafi im kryesor”, tha ajo.

Një moment i bukur për këngëtaren ishte kur në studio u shfaq videomesazhi që Miranda Dupi kishte dërguar për të.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb