Ndonëse shumë media, sidomos ato spanjollee bëjnë fakt të kryer kalimin e Kylian Mbappe te Real Madrid, në mes është futur edhe Liverpool. Jurgen Klopp foli në lidhje me këtë temë:

“Është e qartë se na intereson, nuk jemi të verbër! Sigurisht që na pëlqen dhe nëse dikujt nuk i pëlqen, atëherë duhet t’i bëjë vetes disa pyetje. Por ky nuk është rasti ynë. Ne nuk mund të përfshihemi në këto beteja, ka klube të tjera të angazhuara dhe kjo është në rregull. Ai është ende një lojtar i madh gjithsesi”.

Çfarë shkruan “Marca”? – Kylian Mbappé e ka vendosur tashmë të ardhmen e tij. Ai e tha këtë në galanë e futbollit francez, të mbajtur mbrëmjen e së dielës, 15 maj. E ardhmja e tij kalon përmes Real Madridit.

Sulmuesi dhe Real Madridi e mbyllën marrëveshjen javën e kaluar. Ata vulosën gjithçka që u fol në muajt e fundit, kohë në të cilat Mbappe ka marrë lloj-lloj presionesh, duke filluar nga ato të ushtruara nga drejtuesit e klubit të tij, pastaj nga tifozët dhe duke përfunduar nga politikanët me Macron në krye.

Taktikat e Florentino Pérez kanë qenë shumë të thjeshta gjatë gjithë sezonit. Ai nuk ka kërkuar një parakontratë të firmosur, gjithçka e ka bazuar në përkushtimin dhe dëshirën e futbollistit për të luajtur për Real Madridin. Klubi i bardhë ka qenë gjithmonë aty, në hije dhe duke përdorur njerëz kyç, të afërt me kampionin e botës.

Ai iu është shmangur gjatë gjithë kohës kontakteve të drejtpërdrejta, pavarësisht se nga 1 janari mund ta bënte këtë pa shkelur asnjë rregull. E hëna dhe e marta, që përkonin me vizitën e Mbappe në Madrid, ishin ditët kur gjithçka u qartësua dhe të gjitha dyshimet u zbardhën.

Mbappé pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me një klauzolë lirimi prej shumë milionë eurosh. Megjithatë, rroga që do të marrë do të jetë shumë larg asaj që i kanë vënë në tavolinë në Paris.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb