Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka shkruar një letër për tifozët e skuadrës së tij pas situatës së vështirë të krijuar nga përhapja e koronavirusit.

Gjermani thekson ndër të tjera në letër se nuk beson që mendimi i një trajneri është i rëndësishëm në këto momente, ama e kupton që tifozët dëshirojnë të dëgjojnë nga ekipi.

Ai thotë se nëse ndihmohet vetëm një njeri me masat e marra atëherë duhet ta pranojnë pa e vënë fare në diskutim.

Letra e plotë e Jurgen Klopp
Nuk mendoj se ky është momenti kur mendimet e një trajneri futbolli duhet të jenë të rëndësishme, por e kuptoj që tifozët tanë dëshirojnë të marrin vesh nga ekipi prandaj do t’ua mundësoj këtë.

Pikësëpari, të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që të mbrojmë njëri-tjetrin, e kam fjalën në shoqërinë njerëzore. Kjo duhet të mbizotërojë gjithmonë në jetë, por në këto momente vlen më shumë.

E kam thënë dhe më parë që futbolli gjithmonë duket më i rëndësishmi i gjërave të pa rëndësishme. Ndërsa sot, futbolli dhe ndeshjet nuk kanë rëndësi fare.

Sigurisht që nuk dëshirojmë të luajmë në një stadium bosh dhe nuk dëshirojmë pezullimin e ndeshjeve apo garave, por nëse kjo ndihmon qoftë dhe një individ të vetëm atëherë ne pranojmë pa e vënë në diskutim.

Nëse bëhet fjalë për të zgjedhur midis futbollit dhe mirëqenies së një shoqërie më të madhe, patjetër që nuk ka kontestime.

Vendimi dhe njoftimi i sotëm po zbatohen për sigurinë e njerëzve dhe pikërisht për këtë ne e mbështesim tërësisht. Kemi parë pjesëtarë të ekipeve që ndeshemi të preken nga sëmundja. Virusi ka treguar se të qenit pjesë e futbollit nuk të bën imun. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për skuadrat dhe futbollistët rivalë që janë prekur ose mund të preken në të ardhmen.

Asnjeri në këto momente nuk e di përfundimin, por si një skuadër ne na duhet të besojmë që autoritetet do të marrin vendime të bazuara në mirëgjykim dhe moral.

Po, unë jam trajneri i këtij ekipi dhe për këtë arsye kam një përgjegjësi prej lideri në lidhje me të ardhmen tonë në fushë. Mirëpo, mendoj se momentin aktual që po kalojnë shumë njerëz në qytetin tonë, në rajonin tonë, në vendin tonë apo në botë, do të ishte totalisht e gabuar të flisnim për gjëra të tjera përveçse të këshillojmë njerëzit të ndjekin udhëzimet e ekspertëve dhe të kujdesen për veten dhe të tjerët.

Skuadra ka vetëm një mesazh për mbështetësit, pra u uron shëndet. Vendoseni shëndetin të parin. Mos ndërmerrni rreziqe. Mendoni për personat vulnerabël të shoqërisë dhe veproni kur të jetë mundësia me dhembshuri për ta.
Ju lutem, kujdesuni për veten dhe për njëri-tjetrin.
“You’ll Never Walk Alone”,
Jurgen

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb