Kreu i SPAK Altin Dumani gjatë një takimi informal me gazetarët tha se institucioni që ai drejton ka gati strategjinë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe së shpejti do ta bëjnë publike.

Gjatë takimit, ai iu përgjigj interesimit të medias për çështje shumë sensitive, mes tyre dhe komunikimet e Sky ECC dhe përfshirjen e politikanëve në këto komunikime.

Sipas kryeprokurporit të SPAK i vetmi politikan që deri më tani është lidhur direkt dhe është arrestuar është ish-deputeti socialist Jurgis Cyrbja. Ai tha se SPAK nuk ka të gjithë databazën e Sky Ecc dhe për çdo rast kërkon ndihmë nga partnerët, kur ka dyshime që një përdorues është i përshirë në vepra penale. Ndërsa garantoi se SPAK do të godasë këdo, pavarësisht pushtetit.

Sa iu përket deklaratave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me një aferë korruptive me tunelin e llogarasë z.Dumani deklaroi se nuk mund të bëjë komente për shkak të hetimit.

Ai u ndal edhe te çështja e “21 janarit” ku theksoi se hetimet janë shumë dinamike dhe intensive.

Lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erjon veliaj, Dumani tha se kontrollet janë një mjet për kërkimin e provës, por sa i përket ecurisë së hetimeve nuk mund të japë informacion. Lidhur me akuzat politike në adresë të tij, Altin Dumani deklaroi se ka zgjedhur të mos bëjë asnjë koment.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb