Nga: Raimonda Shundi (Dervishi)

Gjithë këto vite kemi dëgjuar mjaftueshëm histori persekutimi apo frike nga ikona e së bukurës së Shkodrës Aliaj. Jemi befasuar nga ajo çka është përballur. Është lakmuar, goditur, ringritur…. Por sot, ka suksesin e rradhës, Mreteresha. Mbretëria e saj po sistemon përgatitjet e fundit për të gostitur edhe banorët  e kryeqytetit me banketin e rradhës. E si të mos jetë lakmues bashkëpunimi kur flitet për emra të rëndësishëm si ai i Rexhep Qoses. Shihet meraku i aktores në orët e fundit të provës teknike në skënën e Teatrit Kombëtar. Gjithçka nis nga e para, pasi kjo monodramë vjen pas kokursit të 15 të monodramës shqiptare e cila u zhvillua në Korcë, nga ku Justina rrëmbeu edhe çmimin e karrierës.

E shohim teksa diskuton me stafin e skenës për spostimet e rradhës. Është një punë ku ka shumë emra familjarë në to. I biri Rubini dhe e bija Flonja Kodheli kanë formulimin muzikor; skenografia është e të ndjerit Ilia Xhokaxhi dhe koreograf është Bardhi Pojani. Një monodramë ku e shkuara riflet me Justin e 30 viteve me vonë, pasi kjo vepër lindi pikërisht rreth 30 vite më parë, pas largimit të Kadare-së nga Shqipëria. Sot ajo është më e përgatitur se kurrë në këtë sfidë ku skena historike është 100% e saj. Regjia dhe dramatizimi është po i Justinës pas një komunikimi të gjatë me zotin Qose.

Teuta si Justina?

Shumë herë e tradhëtuar, po kaq herë e spiunuar dhe pafundësisht  e hipokrizuar nga “miqtë”. Një nga shumë arsyet pse bën ta shohim në këtë ndërmarje. Tashmë me moshë dhe pjekuri absolute, vjen ky produksion i vështirë, pasi ajo është e vetme përballë të gjithëve, madje edhe vetes.

“Vdekja e një Mbretëreshe”(botuar në vitin 1978)

“Vdekja e një Mbretëreshe” e Rexhep Qoses çmitizon figurën e mbretëreshës ilire, Teuta. Para se të dorëzojë fronin, një mbretëreshe i kujtohet gjithë koha e sundimit të saj. Tani ndihet e zhgënjyer, e tradhtuar nga vartësit e saj, servilët, lapangjozët, ata, që deri dje e duartrokisnin dhe sot po e fundosin. Në krijimin e kësaj vepre, Rexhep Qosja i është referuar figurës së mbretëreshës Teuta, që sundoi për tre vjet Ilirinë pas mbretërimit të të shoqit, Agron, dhe “Vdekja e një mbretëreshe” është cilësuar si drama e personalitetit të një gruaje, të një nëne. Ajo është e vërtetë në rrëfimin e saj, e sinqertë para vetes, para burrit, të birit. Vepra më herët është vënë dhe në skenën e Kosovës dhe atje e kanë pohuar se: “Qosja ka bërë një zbërthim të mrekullueshëm të psikikës së njeriut”.  Kjo shfaqje flet për mungesën e forcës, tradhtinë, servilizmin, romancën, ndjenjat e një nëne si dhe infantilitetin e një populli, që shkon si kopeja pas bariut.

Zonjën e bukur që ka qënë mbretëreshë në jetën e vet, hajdeni ta shikoni se sa bukur mbretëron edhe në skenë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: