Juve reagon shpejt, lë pas humbjen përballë Romës, thyen 4-2 Sampdoria-n në ‘Allianz Stadium’ duke vijuar betejën e tyre për të siguruar një vend në Evropë. Allegri shijon një Rabiot në versionin e “bomberin”, por shqetëson sërish Dusan Vlahobic, sulmuesi serb nuk shënon më as nga pika e bardhë e penalltisë. Torinzët ishin “zjarr” në start, realizuan 2 gola të shpejtë brenda 26 minutash, me Bremer edhe Rabiot duke krijuar iluzionin se kjo sfidë nuk kishte shumë histori. Sampdoria u rikthye në lojë shumë shpejt, ku në më pak se një minutë realizuan dy gola, me Augello dhe Djuricic.

Në pjesën e dytë, në minutën e 64-të, ishte sërish Rabiot qe me një goditje të fortë riktheu “Zonjën e Vjetër” në avantazh. Pesë minuta më pas, Cuadrado fitoi një 11-metërsh, por Vlahovic gjuan keq duke përplasur topin në shtyllën pingule. Për të hipotekuar këtë fitore, mendoi Soule në minutën e 94-të ku ndoqi mirë aksionin dhe me kokë kompletoi “pokerin” bardhezi.

Allegri
Allegri

Falë këtij suksesi, Juve e sheh veten në vendin e 7-të, në kuotën e 38 pikëve, katër më pak se Atalanta dhe minus 9 pikë nga zona Champions: “Besoj se duhet të përmirësohemi në administrimin e lojës. Vlahovic zhvilloi një ndeshje të mirë, duhet të jetë i qetë. Pogba nuk është ende gati, nuk do të jetë kundër Freiburg, ndërsa për Chiesa do të shohim. Sa për dënimin me -15 pikë nuk dua të flas, me këtë gjë merret shoqëria, di të them se tani do ishim të vetëm në vendin e dytë, për atë që djemtë kanë dhënë në fushë”, u shpreh Allegri pas ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb