Juventusi dhe Empoli papritur kanë hapur një korridor bisedimesh në mes të cilëve janë dy emra: Matias Soule dhe Nedim Bajrami. Bardhezinjtë vazhdojnë që të jenë në kërkim të një fantazisti që të organizojë lojën në mesfushë dhe cilësitë që u duhen janë individualizuar te futbollisti kuqezi.

Kjo duke parë se Leandro Paredes nuk ka pasur impaktin që pritej. Empoli sigurisht që ka aprovuar menjëherë idenë për të biseduar transferimin që në merkaton e dimrit, por shifra, e cila nevojitet është 10 milionë euro.

Një numër i tillë nuk është se tremb Juventusin, edhe pse tratativa fillimisht do të jetë ajo e formës së huazimit me të drejtë blerjeje në fund të këtij sezoni. Por për ta lehtësuar edhe më shumë këtë mundësi transferimi, hyn në lojë talenti argjentinas, Matias Soule.

Ky është një nga “diamantët” te të cilët “Zonja e Vjetër” ka investuar shumë, aq sa trajneri Massimilliano Allegri e ka gjithmonë pjesë të skuadrës së tij të parë, pavarësisht 19 viteve të tij mbi shpatulla.

Mëngjarashi i pëlqen shumë Empolit që kërkon një sulmues anësor dhe nëse Soule pranon që të transferohet në “provincë” për të bërë më shumë minuta dhe për të fituar më tepër eksperiencë në elitën e Serisë A, Nedim Bajrami ka shanse shumë të mira që të bëjë hapin e tij të madh të karrierës.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare sigurisht që do të bënte mirë të ndërronte ambient, aq më tepër në një skuadër kaq të rëndësishme nga Juventusi, duke parë se transferimi i munguar në ditët e fundit të merkatos së verës te Fiorentina ia frenoi disi vrullin.

Gjithsesi, kur mendon se pas 10 javësh kampionat ai ka ofruar 5 asiste për gol, kuptohet qartë edhe arsyeja pse Juventusi e kërkon Bajramin në radhët e tij dhe pse jo mund të jetë ai lojtari që të zgjidhë jo pak probleme në manovrën ofensive të rekordmenëve italianë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb