Nga: JETON SELIMI*
Taulant Xhaka dhe Shkëlzen Gashi do të vi jojnë aventurën e tyre në Ligën e Kampioneve, ndërsa Bazeli, me rezultatin 1-1, ka arritur të marrë vendin e dytë në grupin B, duke u kualifikuar kështu pas Realit të Madridit. Në “Anfield Road”, Liverpulit nuk i shërbeu as atmosfera e krijuar nga tifozët, pasi Bazeli, me Xhakën e Gashin titullar arriti të marrë barazimin për të cilin kishte nevojë. Golin e avantazhit zviceran e realizoi Frei në minutën e 25-të.
Ndërkohë Gashi iu afrua disa herë golit, duke shënuar në një rast, por duke u ndalur nga flamuri i vijërojtësit. Në fraksionin e dytë serbi Markoviç la me 10 vetë Liverpulin duke komplikuar ndeshjen e të tijve, gjithsesi Xherrard bëri Liverpulin të besonte deri në fund me një goditje dënimi të jashtëzakonshme. Minutat e fundit ishin të ethshme për të dyja skuadrat, por në fund përfundoi 1-1 me Bazelin që vazhdon më tej. Reali shpartalloi 4-0 bullgarët e Ludogoretsit, ndërsa këta eliminohen nga kupat e Europës, pasi në Europa Ligë shkojnë anglezët e Liverpulit.
Në grupin A, Juventusi arrin të kalojë grupin pas barazimit pa gola në shtëpi me Atletikon, në një 90 minutësh që pati raste pa fund nga të dyja krahët, por zero gola. Rezultat që kualifikon Atletikon si të parën e grupit dhe Juventusin si të dytë, ndërsa Olimpiakos kalon në Europa Ligë, pavarësisht fitores 4-2 me Malmon. Në grupin C, Monakoja ia doli të eliminojë Zenitin e Shën Pjetërburgut, me francezët dhe rusët që luanin një ndeshje “in-out” me njëra-tjetrën. Abdenur dhe Fabinjo ndëshkuan miqtë, duke bërë që Zeniti të shkojë në Europa Ligë, pasi Bajerit të Leverkusit i mjaftoi barazimi 0-0 me Benfikën për të kaluar më tej, pasi portugezët ishin eliminuar që një ndeshje më parë nga Liga e Kampioneve. Nëse do të shohësh një Borusia ndryshe nga ajo që shohim në Bungesligë, mjafton të shohim këtë ekip në Europë. Dortmundi, edhe pse i kualifikuar, barazoi 1-1 me Anderlehtin e Hasit, që vazhdon rrugën nga ana e tij në Europa Ligë. Golin e epërsisë për verdhezinjtë e realizoi Imobile në pjesën e dytë, ndërsa në fund barazoi Mitroviç. Arsenali nga ana e tij bëri detyrën ndaj Gallatasarajit, duke fituar bindshëm 4-1.
SOT GRUPI I FERRIT
Trajneri i Romës, Rudi Garcia e ka të qartë se llogaritë paraprake mund ta nxjerrin jashtë Championsit skuadrën verdhekuqe. Për të mos u varur nga takimi mes Bayernit dhe CSKAsë së Moskës, Romës i duhet patjetër fitorja me Citizens. “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, por kjo ndaj Mançester Sitit për ne është si një finale. Ne kemi qenë në vazon e katërt ndërsa ata janë kampionët e Anglisë, por falë cilësive tona, kemi këtë mundësi në një ‘Olimpiko’ të zjarrtë”. Nga ana tjetër, Guardiola premton fair-play: “CSKA-ja? Bayerni dëshiron ta fitojë këtë sfidë, pasi edhe ne do të zbresim në fushë me një synim të vetëm, që është marrja e tri pikëve”.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: