Juventusi fitoi në transfertë kundër Bolognas me rezultatin 2-0 duke kaluar kështu në çerekfinale të Kupës së Italisë. Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri vazhdon formën e mirë dhe fitoret edhe në Kupën e Italisë, pasi mposhti me lehtësi ekipin e Bolognas. Pjesa e parë e ndeshjes foli e gjitha në favor të “Zonjës së Vjetër”, e cila përveç rasteve dhe menaxhimit të lojës, arriti të shënojë edhe një gol. Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 9 të ndeshjes ku Federico Bernardeschi shënoi pas një daljeje të gabuar nga portieri vendas. Në pjesën e dytë, ishte përsëri Juventusi që menaxhoi më mirë lojën dhe rezultatin. Edhe në 45 minutëshin e dytë skuadra e Allegrit krijoi shumë raste dhe shënoi edhe një gol në minutën e 49-të me anë të Moise Kean, i cili dyfishoi epërsinë. Pas këtij goli, Juventusi tentoi të luante sigurt dhe ta shënonte edhe ndonjë gol me futjen në lojë të Cristiano Ronaldos dhe Paolo Dybalas, por shifrat mbetën të pandryshuara deri në fund të takimit. Në çerekfinale, Juventusi pret fituesin e ndeshjes së nesërme (e diel) Atalanta-Cagliari. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb