Juve thyen minimalisht 1-0 Spezia, por ky trepikësh është shumë i rëndësishëm për “Zonjën e Vjetër”, blindojnë vendin e katër në kuotën e 53 pikëve, plus 6 pikë në raport me Atalanta dhe Roma. Në “Stadium”, bardhezinjve i mjaftoi një gol i Morata në minutën e 21-të.

Spezia shpresonte shumë që heroi i tyre i ri, “Batmani” Rey Manaj, të bënte diçka në këtë transfertë, por sulmuesi shqiptar ishte në një mbrëmje jo pozitive, teksa për asnjë moment nuk u shfaq i rrezikshëm, qëndroi në fushë deri në minutën e 76-të dhe ishte një nga lojtarët më pak të vlerësuar në radhët e ekipit të tij: Lëviz pak, shërbehet pak nga shokët e skuadrës, nota 5 shkruajnë mediat italiane.

Në përfundim të ndeshjes, trajneri Allegri vijon të insistojë, ekipi i tij nuk është për titull, por ndeshja të tilla mund të shërbejnë për tu rritur: “Duhet ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë me 2 gola diferencë. Në pjesën e dytë ishim të lodhur dhe nuk mund të bëja ndryshime. Për të arritur objektiva të mëdha, ky ekip ka nevojë për fitore të tilla. Ishte shumë e rëndësishme të arrinim në kuotën e 53-të pikëve për të përgatitur më mirë pjesën e mbetur të sezonit”, u shpreh Allegri.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb