Një nga njerëzit që rezulton se ka patur kontakte me Miklovan Dakajn, është Juxhin Drazhi, një personazh i njohur i botës së krimit dhe pjesë e grupit të Troplinëve sic njihet ndryshe grupi i Elvis Docit, ose Visit të Pojës.
Emisioni “Në Shënjestër”, duke iu referuar hetimeve të nisura nga Spanja për zhdukjen e Miklovan Dakajt, publikoi të dhëna nga dosja hetimore ku thuhet se në muajin shtator familjarët e Miklovanit morën një lajm se një trup i pajetë, që dyshohet se mund të ishte i tij ndodhej në morgun e një spitali në Spanjë.
Arsye për të cilën autoritetet spanjolle, morën edhe një kampion të ADN-së së vëllait të tij si dhe të vajzës 8-muajshe.
Kjo me qëllim për të krahasuar ADN-në e trupit të pajetë që ndodhej në morg me atë të të afërmve të personit të zhdukur.
Ndërkohë që paralelisht me policinë spanjolle, një hetim për zhdukjen e Miklovan Dakaj nisi edhe nga policia shqiptare, pas kallëzimit të bërë në Shkodër nga familjarët e tij.
Por ndërsa shpresat për gjetjen gjallë të Miklovan Dakaj sa vijnë dhe zbehen, policia spanjolle duket se po përparon në hetimet e saj.
Hetime që sipas burimeve të emisionit ‘Në Shënjestër’ kanë mundur të shkojnë deri te personat e fundit me të cilët ai ka pasur kontakte para se të humbiste gjurmët.
Persona të cilët rezultojnë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Dhe me një aktivitet të theksuar kriminal si në Shqipëri dhe jashtë saj.
Një nga këta persona me të cilët Miklovan Dakaj thuhet se ka pasur kontakte para se të zhdukej, është edhe Juxhin Drazhi.
Personazh ky i dyshuar si pjesë e grupit kriminal Troplini, drejtuar nga Elvis Doçi, ndryshe i njohur si Visi i Pojës.
Që trafikoi sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së.
Po për t’u kthyer te personazhi i Drazhit, dhe lidhja e tij me zhdukjen e mundshme të Miklovan Dakaj, më 12 Maj 2025 në qytetin e Marbellos në Spanjë, ai thuhet se u arrestua nga oficerët e Gardës Civile në Malaga, në një shtëpi luksoze në qytetin e Almunecar në Granada.
Mediat spanjolle të cilat raportuan se policia ra në gjurmët e të shumëkërkuarit pasi konstatoi se në një shtëpi të izoluar në zonë po merreshin masa të shumta sigurie, çka ngriti dyshime të forta për ta.
Policia spanjolle që ndërkohë kishte një denoncim për zhdukjen e Miklovan Dakaj.
Dhe që ndër të tjera kishte dyshimet e saj mbi implikimin e Juxhin Drazhit në këtë ngjarje.
Arsye që me gjasë mund ta kenë çuar edhe në bazën ku ai strehohej.
Drazhi që thuhet se u arrestua bashkë me një person tjetër, por që është ende e paqartë nëse nëse në banesën ku ata fshiheshin, policia mundi të gjejë gjurmë të Miklovan Dakaj, të zhdukur.
Policia spanjolle që disponon një informacion të rëndësishëm që mund të përbëjë kthesë në hetime.
Faktin që Miklovan Dakaj u ngjit në makinë i pashqetësuar dhe se një prej personave të fundit që mund të ketë informacion për fatin e tij, mund të jetë Juxhin Drazhi.
34 vjeçari, i cili nuk dihet ende nëse ka dhënë dëshmi përpara autoriteteve spanjolle lidhur me këtë ngjarje.
Ai është ekstraduar drejt Shqipërisë, por nuk dihet nëse autoritetet shqiptare i kanë marrë dëshmi lidhur me zhdukjen e Miklovan Dakajt.
Ndërsa po e hetojnë për pastrim parash në kuadër të organizatës kriminale, përmes kompanive të tij.
Kartela Penale
Juxhin Drazhi, 34-vjeç, zotëron kompaninë ‘Majestic Construction’ e cila është vënë nën sekuestro nga SPAK bashkë me 9 prona të tjera, po të tija.
Vendimi për sekuestrimin e ‘Majestic Construction’ dhe 9 sipërfaqeve të tokës është marrë më 21 Maj 2025, ndërsa është ekzekutuar në Qëndrën Kombëtare të Biznesit dhe Zyrën e Hipotekës Durrës.’
Një tjetër emër i njohur të botës së krimit, që bashkëshortja e Miklovan Dakaj e denoncoi në policinë spanjolle, si të dyshuar për zhdukjen e njeriut të saj, është Flodian Plaku, që mban edhe dy mbiemra, Mamo dhe Serjani.
Ky i fundit që është në akuzë për ekzekutimin e Gentjan Bejtjas.
Ish-polici i burgjeve që u ekzekutua në banesën e tij më datë 15 Mars 2024.
I lidhur me bandat kriminale në zonë dhe përtej.
Hetuesit kanë dyshime se Mikovan Dakaj mund të ketë tradhtuar Roan Brahimin alias Sidorel Prendin që u ekzekutua në Athinë, më datë 9 Maj 2024.
Vetëm pak orë pasi kishte mbërritur aty nga Dubai, për të takuar bashkëshorten dhe djalin e tij.
Sidorel Prendi që ishte pjesë e klanit kundërshtar të Gentjan Bejtjas, i cili dyshohet se kishte gisht në ekzekutimin e ish-policit të Burgjeve.
Krim që dyshohet të jetë kryer për hakmarrje.
Një seri ngjarjesh dhe episodesh kriminale që janë shpërndarë sa në Shqipëri dhe jashtë saj, që kanë sjellë një lumë gjaku, brenda krimit të organizuar.
Që tashmë po eleminon vetveten dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Familja e Miklovan Dakaj ka dyshime mbi zhdukjen e djalit të tyre edhe te Flodian Plakun dhe lidhjet e tij shoqërore.
Kjo pasi në shtëpinë e tyre menjëherë pas zhdukjes mbërriti një person nga Durrësi, i cili pretendonte se kishte dijeni se kush ishin personat që kishin lidhje me ngjarjen.
Familja nuk mundi ta identifikonte këtë person, pasi pyetja e tij ndoshta mund të ndihmonte policinë për të mësuar për fatin e Miklovanit.
Pistat për zhdukjen e këtij personazhi, që dyshohet të ishte i implikuar në rrjetet e narkotrafikut, janë të shumta.
Porse është e vështirë për të gjetur fijet, se si këto organizata veprojnë dhe kahet se si fryjnë erërat.
Ndërkohë që Spanja është kthyer në një bastion të krimit shqiptar dhe të drogës, aty ku duket se tashmë janë strehuar shumë kontigjentë të krimit.
Të cilët kanë gjetur aty ‘El Doradon’, por njëkohësisht edhe varrin e tyre.
