“Mendoj që nuk ka bisedime, që nuk kanë ndonjë befasi, të cilat janë gjithmonë të mira”, ka thënë Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për “Newsmax”.

“Ato (befasitë) bëjnë presion në të dy palët që të bëjnë më shumë, që të krijojnë më shumë. Pra, po, kemi shfaqur disa befasi, por mendoj që asnjëra palë nuk ishte aq e befasuar. Ndonjëherë shtihen para mediave se kjo është befasi më e madhe se që është. Të dyja palët janë njoftuar dhe mendoj që kemi realizuar përparim dhe shpresoj për zgjidhje”, theksoi Grenell, pas ditës së parë të bisedimeve në Uashington ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, takohet të premten në mëngjes me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një ceremoni nënshkrimi me ta, si edhe në një takim trepalësh, transmeton Zëri i Amerikës.

Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet, nëse bëhet fjalë për një marrëveshje, dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga pikat në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Vuçiç tha se “nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë”.

Mbikëqyrës të këtij takimi, që u paralajmërua se në fokus ka bashkëpunimin ekonomik, ishin këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb