Anëtarja e Kryesisë së PD Jonila Godole ka komentuar dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe situatën në PD. Ajo shkruan se sot ka ka dy mënyra si mund ta shohim PD, t’i shkruajmë epitafin ose sot ka shansin të shkëputet përfundimisht nga kulti i individit.

Godole uron Alibeajn për marrjen e timonit në këtë situatë të vështirë dhe sipas saj, kryesimi i PD më në fund nga një përfaqësues i të përndjekurve politikë është një ogur i mirë për kursin e PD në të ardhmen.

“22 mars 1992-22 mars 2022
30 vjet rrugëtim i PD me suksese dhe dështime, me shpresë dhe zhgënjime, me bashkime dhe përçarje – simbolikisht i tillë është edhe rrugëtimi i gjithë tranzicionit shqiptar. As më shumë dhe as më pak.

Sot më 22 mars ka dy mënyra si mund ta shohim PD: 1) t’i shkruajmë epitafin: U prehtë në paqe – e mbylli misionin e vet historik; ose 2) sot ka shansin të shkëputet përfundimisht nga kulti i individit dhe të futet në kursin e duhur demokratik me dyer të hapura për këdo që ndan një vizion euro-atlantik në të mirë të zhvillimit të vendit; e hapur ndaj konkurrencës dhe ideve në parti dhe largpamëse në projektin për të zgjuar shpresat e shqiptarëve si 30 vjet më parë.

Unë shpresoj për këtë rrugën e dytë. E lehtë nuk do jetë. Koha do ta tregojë ndikimin e aktit të 9 shtatorit dhe të 21 marsit për demokracinë dhe kulturën politike shqiptare.

Deri atëherë, urime Enkelejd Alibeaj për marrjen e timonit në këtë situatë të vështirë. Kryesimi i PD më në fund nga një përfaqësues i të përndjekurve politikë është një ogur i mirë për kursin e PD në të ardhmen”, shkruan Godole.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: