Gjermania nuk mund të dërgojë më shumë armë të rënda në Ukrainë, ka thënë një nga gjeneralët më të lartë të vendit, shkruan The Times.

Markus Laubenthal tha se vendi nuk do të ishte në gjendje të përmbushte angazhimet e tij ndaj NATO-s nëse i dhuronte më shumë armë Ukrainës.

Ai gjithashtu tha se kancelari Olaf Scholz, po i reziston presionit nga anëtarët e tjerë të koalicionit qeverisës për të dërguar automjete të blinduara apo tanke të lehta në Kiev.

Kur Norvegjia, Izraeli dhe Finlanda ranë dakord për paketa të reja mbështetjeje për Ukrainën, Laubenthal zëvendës shefi gjerman i shtabit, tha se Berlini do të ishte i prekshëm nga sulmi nëse i dërgonte Kievit 100 tanke të lehta Marder, një koment që u ironizua dhe u konsiderua i pakuptueshëm nga ambasadori ukrainas.

“Ne nuk do të ishim më në gjendje të reagonim ndaj eventualiteteve dhe kjo do të dobësonte ndjeshëm aftësinë tonë mbrojtëse,” tha Laubenthal.

Partia e Scholz, (SPD) ka një histori të gjatë marrëdhëniesh të ngushta me Rusinë. Kancelari i mëparshëm, Gerhard Schroder, ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të presidentit Putin për gati dy dekada. Thuhet se ai udhëtoi muajin e kaluar në Moskë për të diskutuar luftën me Putinin.

Reputacioni i Scholz-it si një pragmatist ka tërhequr kritikat e fundit nga shtypi gjerman, i cili ka vënë në pah ritmin e ngadaltë me të cilin ai ka ofruar ndihmë ushtarake.

Një sondazh nga Der Spiegel zbuloi se 65 për qind e gjermanëve nuk e shohin Scholz-in si një “udhëheqës të fortë”.

Ukraina ka porositur tashmë 100 Marder të çmontuar nga Rheinmetall një kompani gjermane e mbrojtjes, por rinovimi i automjeteve pritet të marrë kohë rreth muaj, deri në atë moment beteja për Donbasin mund të përfundojë.

Kievi ka propozuar një marrëveshje sipas së cilës ushtria gjermane i jep hua Ukrainës 100 Marder.

Andriy Melnyk , ambasadori ukrainas në Berlin, tha se Gjermania kishte 400 Marder në arsenalin e saj dhe vuri në dyshim vlerësimin e Laubenthal se nuk ishte në gjendje t’i huazonte automjetet Kievit.

“Pretendimi që Bundesëehr-i nuk është më në gjendje t’i japë asgjë Ukrainës është i pakuptueshëm,” tha ai.

Përveç Marders, Gjermania është nën presion për të furnizuar Panzerhaubitze 2000, një obus vetëlëvizës 155 mm me një rreze veprimi prej 260 miljesh.

Ndërsa Rusia nis fazën e dytë të pushtimit të saj në Donbas, Kievi do të kërkojë fuqi të konsiderueshme artilerie për të larguar tanket ruse T-72.

Baerbock refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me dërgimin e armëve të tilla dhe në vend të kësaj sugjeroi që Kievi mund të blinte sisteme artilerie më të sofistikuara të vendeve të tjera, duke thënë se Gjermania më pas do të “ndihmonte me trajnimin dhe mirëmbajtjen”.

Nga ana tjetër, Norvegjia ka rënë dakord të dërgojë në Ukrainë 100 raketa anti-ajrore Mistral të prodhimit francez.

Presidenti Zelensky kishte kërkuar më parë raketat më moderne NASAMS në një fjalim në parlamentin norvegjez.

“Është ende një armë moderne dhe efektive që do të jetë shumë e dobishme për Ukrainën”, tha Bjorn Arild, ministri norvegjez i mbrojtjes.

Ministria izraelite e Mbrojtjes ra gjithashtu dakord të dërgojë helmeta dhe jelek për shërbimet e shpëtimit ukrainas.

Izraeli nuk ka qenë i gatshëm të deklarojë publikisht mbështetjen e tij për Ukrainën gjatë gjithë konfliktit, ndërsa kryeministri Naftali Bennett përpiqet të veprojë si ndërmjetës i paqes midis Kievit dhe Moskës.

Megjithatë, ministria izraelite e mbrojtjes konfirmoi se do të mundësonte një dërgesë me furnizime të reja të armëve pas takimeve me Kievin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb