Fernando Torres me shumë mundësi në fund të sezonit do të mbyllë karrierën e tij, por mbrëmë ai pati fatin të fitonte trofeun e parë me Atletico Madrid, klubin ku u formua si futbollist dhe ka luajtur për disa sezone.

Në karrierën e tij 17-vjeçare Torres ka ngritur trofetë më prestigjioz si Botërori dhe “Champions League”, por pas finales me Marseille-n ku ai luajti vetëm 2 minuta dhe fitoi “Europa League”, ka deklaruar se kjo kupë me Atletico-n është e veçanta për të.

“Është një lumturi që vështirë të shpjegohet me fjalë. Pas një kohe të gjatë, u ktheva te Atletico dhe më në fund bëra realitet një ëndërr që e kisha që fëmijë. Është krenari të bëhesh pjesë e këtij grupi që ka ndryshuar përgjithmonë jetën e njerëzve.

Ishte e vështirë të shpjegonim se çfarë do të thoshte të mbaje veshur fanellën e Atletico-s, përtej rezultateve. Duhet të mendojmë se ky është fillimi i diçkaje shumë më të madhe.

Nëse flasim për aspektin e ndjenjave, ky titull me Atletico-n është më i rëndësishëm në karrierën time. Kam qenë me fat që kam luajtur në ekipe të mëdha dhe të jem pjesë e gjeneratës më të mirë të futbollistëve spanjollë me të cilët kemi fituar gjithçka.

Por unë kisha ëndërr të fitoja një titull me Atleticon. Kur u largova, nuk mendova se mund të përmbushej, por kjo është ajo që këta njerëz më kanë mësuar, se nëse lufton, mund ta realizosh atë që kërkon”, tha Fernando Torres për mediat spanjolle.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb