Pas dështimit në Botërorin e Katarit, Brazili vazhdon të jetë në kërkim të një trajneri për të zëvendësuar Titen e larguar. Lista e kandidatëve është e gjatë, por kërkohet një teknik me përvojë dhe mbi të gjitha me autoritet. Dhe një nga kandidatët e fundit që ka dalë në skenë është Jose Mourinho.

59-vjeçari ndodhet në kontakte edhe me Portugalinë, por duket se “Seleçao” kërkon ta rrëmbejë. Nuk është e aq lehtë, jo vetëm për faktin se ai ka një kontratë me Romën, por Mourinho dëshiron që kontrata e tij të jetë të paktën katër vjeçare, me synimin për të përgatitur një ekip pretendent në Botërorin e vitit 2026.

Dëshira e Mourinhos është që të përfundojë sezonin me Romën dhe pastaj të presë çfarë do të ndodhë, por në Brazil nuk presin kaq gjatë. Ndërkohë, të shumtë janë ikonat brazilianë që kërkojnë një trajner vendas.

Megjithatë, Mourinho është në avantazh të madh krahasuar me të gjithë trajnerët e tjerë të huaj kandidatë, pasi në Brazil flitet portugalisht dhe kjo nuk është pak.

Jose nuk nxitohet, pasi siç duket, Portugalia e tij është gati ta presë deri në verë, madje përflitet se nëse gjendet gjuha e përbashkët me Romën, ai të drejtojë edhe kombëtaren luzitane, edhe ekipin verdhekuq. Është hera e parë që Mourinho përflitet për të marrë drejtimin e një përfaqësueseje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb