Fitorja e partisë Vetëvendosja në Kosovë ishte temë diskutimi në emisionin “Real Story”, në News24. Në një lidhje me “Skype”, avokati Spartak Ngjela analizoi zgjedhjet në Kosovë, ndërsa bëri dhe një paralelizëm me situatën në Shqipëri.

Sipas tij, në vendin tonë nuk ka zgjedhje të lira, pasi nuk ka pushte gjyqësor të pavarur. Teksa u shpreh se asnjë politikan nuk i shpëton dot Vettingut të pasurisë, avokati i njohur shtoi se po bëhen lëvizje të mëdha në interes të shqiptarëve.

“Problemi i kapitalizmit nuk ndryshon dot me doktrinën e Vetëvendosjes. Nuk ka doktrinë që ndryshon kapitalizmin në Shqipëri. Është korrupsioni, midis jush ka njerëz që kanë frikë. Nuk ndryshon korrupsioni në Shqipëri. Këtu nuk po vijnë akoma 30 hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Reformën Kushtetuese dhe Ligjore nuk e kemi bërë ne. Asnjë politikan nuk i shpëton dot VETING-ut të pasurisë. Krimi i organizuar është i provuar në Shqipëri, nuk e kam shpikur unë, e kanë thënë ndërkombëtarët. Dy partitë nuk kanë pasion për zgjedhjet.

Politika është interes. Shikojeni ç’ndodh. Janë krijuar dy shtete shqiptare. Shqiptarët i krijuan? Jo, shqiptarët mezi krijuan një shtet me ndihmën e austriakëve. Ka lëvizje të mëdha që po ecin në Maqedoninë e Veriut, në interes të shqiptarëve. Problemi është që në këtë konkurrencë mes Moskës, Beogradit dhe Uashingtonit, ata janë me shqiptarët.

Ti mendon se ka zgjedhje të lira në Shqipëri? Ky është sistemi i votës, po s’ke votë, ke krim. O votë, o krim. Po ke votë të lirë, ke pushtet gjyqësor të pavarur. Po ka gjykatë, nuk manipulon dot njeri. Unë kërkoj të eliminohet korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe të vendosim votën e lirë. Kështu do të fitojë ai që ka koncepte më të drejta”, tha Ngjela.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb