KOSOVË

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje si shkaktaren e mosarritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

Tashmë partia më e madhe opozitare në vend (nëse LVV- LDK krijojnë qeverinë), PDK thotë se prej 29 korrikut të 2019 qeveria ka dhënë dorëheqje dhe LVV ka fatin e qeverisë së re.

“Partia Demokratike e Kosovës është e bindur se përgjegjësia për t’i formuar institucionet e reja i takon fituesit të zgjedhjeve dhe nuk bën të dëmtohet ky koncept i shëndoshë në demokracinë e re të Kosovës. PDK ka treguar konstruktivitetin e saj duke pranuar rezultatin zgjedhor dhe kaluar në opozitë menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit. Nuk ka bërë asnjë ankesë në Gjykatë Supreme për të zvarritur certifikimin e procesit zgjedhor. Për më tepër, e ka lënë veten në mënyrë të qartë jashtë ekuacioneve e tavolinave të bisedimeve për qeverisje, duke u deklaruar pa asnjë ekuivok dhe ripotencuar se do të qëndrojë në opozitë” thuhet në njoftim.

Prandaj, sipas tyre, çdo përpjekje për të gjetur justifikime, ose për të tjetërsuar përgjegjësitë në këtë vonesë nga Lëvizja Vetëvendosje, është e papranueshme.

“Kjo parti politike është shkaktarja kryesore e vonesës aktuale dhe dhënia fund e kësaj krize është tërësisht në dorën e saj. Qeveria ka dhënë dorëheqjen që më 29 korrik të vitit të kaluar. Faji dhe fati për qeverisjen e re është vetëm në dorën e Vetëvendosjes që prej 106 ditëve”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i marrin përgjegjësitë qeverisëse, por qytetarët e Kosovës do t’i kuptojnë shpejt mashtrimet dhe iluzionet që ata kanë kultivuar si dhe të shohin dështimin e ideve që kanë promovuar.

“PDK si parti opozitare do t’i mbajë llogaridhënëse dhe nuk do të lejojë të zhbëhen arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb