Deputeti demokrat Dashnor Sula, në rubrikën “Opinion” në News24 ka akuzuar qeverinë se mbron zyrtarët e korruptuar.

Sula shtoi se politikanët në vendin tonë mbështeten tek njeri tjetri, pasi rrëzimi i njërit passjell edhe rrëzimin e palës tjetër, ndaj sipas tij e vetmja rrugë për të shpëtuar ky vend është drejtësia, e cila ka nisur të japë sinjalet e para të funksionimit.

“As mos prit të gjesh kush i mbron, i mbron qeveria. Edhe kur i kapin me presh në duar si në rastin e inceneratorëve, bashkuan bananen me rrush dhe e shitën për beton. Janë të lidhur të gjithë që nuk ka dreq t’i shkatërrojë. E vetmja rrugë për të shpëtuar ky vend është drejtësia. Ndaj të gjithë politikanët e ndershëm duhet të mbështesin drejtësinë.

Me politikë nuk shpëton ky vend, sepse mbajnë veten pranë sepse rrëzimi i njërit rrëzon edhe tjetrin. Një politikani të ri çfarë nuk i bëjnë për ta shkatërruar.

2022-2023 mjafton 10 politikanë të lartë, ministra, kryetarë bashkish, që dihet se kush janë dhe shkeljet që kanë bërë, që të vihen pas hekurave dhe të gjithë të tjerët do të marrin frikë. Sepse ka humbur frika e si bën syri tërr njeriu. Tani ka nisur të lëvizë dhe ka shenja pozitive që uroj të mos ndalen. Duhet durim. Fillimi i fundit ka filluar”, u shpreh ai.

Sula foli edhe në lidhje me Amnistinë Fiskale, të cilën e quajti një lëvizje të djallëzuar të kryeministri Rama dhe qeverisë.

“Sa i djallëzuar është kryeministri dhe qeveria. Ia thashë edhe mes Parlamentit që askush prej nesh deputetëve nuk mendon të shohë 2 mln euro kesh, ndërsa këto do të bëjnë amnisti për emigrantët. Këto janë para të krimit dhe trafikut.

Llogarisin që nëse legalizohen 2 mln duhet paguar 5 përqind shtetit. Ndërsa biznesi i ndershëm paguan 23 përqind. Këto mirë që duan ta legalizojnë por nuk duan të taksojnë as sa biznesi i ndershëm”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb