Zëvendës kryetari i Partisë së Lirisë Agim Nesho me anë të një deklarate për mediat ka reaguar pas lajmit për arrestimin e një ish-zyrtari të lartë të FBI-së, i akuzuar për fshehje informacioni, përfitime parash të padeklaruara, bashkëpunim për interes të oligarkut Rus Deripaska, dhe përmendjen në dosje të emrit të kryeministrit Rama dhe disa bashkëpunëtorëve të tij.

Nesho shtoi se Kryeministri Rama dhe stafi i tij, janë evidentuar se kanë kryer akte korruptive, duke u bërë pjesë e rëndësishme e dosjes penale që rëndon ndaj ish funksionarit të lartë të FBI-së, Z. McGonigal, dhe veprimtarinë e tij lidhur me Shqipërinë.

Sipas tij çështjet e trajtuara në dosjen e akuzës për McGonigal tregojnë një sërë problemesh të rëndësishme në funksionimin e Qeverisë Shqiptare, siç janë investimet ruse nëpërmjet kompanive guackë, çështjet e pagesave korruptive dhe pastrimit të parave si dhe përdorimi i pushtetit për të shkatërruar opozitarizmin në vend.

Deklarata e plotë:

Dje, në të gjitha mediat prestigjioze amerikane dhe të botës, u pasqyrua lajmi për arrestimin e një ish-zyrtari të lartë të FBI, i akuzuar për fshehje informacioni, përfitime parash të padeklaruara, bashkëpunim për interes të oligarkut Rus Deripaska, i cili është nën sanksione nga autoritetet amerikane, si dhe shfrytëzim të pozicionit zyrtar, etj.
Ajo që bie në sy në dosjen e paraqitur nga akuza është emri i kryeministrit Shqiptar Edi Rama dhe disa bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, si dhe marëdhëniet e bashkëpunimit që kishin krijuar me këtë individ.
Është e pa precedent që një kryeministër i një vendi demokratik dhe anëtar të NATO-s të përmendet nga Prokuroria Amerikane si i përfshirë në akte korrupsioni ndaj zyrtarëve të Shtete ve të bashkuara të Amerikës.
Më konkretisht, Kryeministri Rama dhe stafi i tij, janë evidentuar se kanë kryer akte korruptive, duke u bërë pjesë e rëndësishme e dosjes penale që rëndon ndaj ish funksionarit të lartë të FBI-së, Z. McGonigal, dhe veprimtarine e tij lidhur me Shqipërinë.

Partia e Lirisë e ka deklaruar gjithmonë se marrëdhëniet e zotit Rama me SHBA janë marrëdhënie të bazuara jo në vlera por në afera.
Nëpërmjet klientelizmit të një Yes Man-i, ai ka kërkuar që marrëdhëniet me SHBA të përdoren në funksion të mbajtjes së pushtetit të tij koruptiv, duke përdorur lidhjet me SHBA-në për të goditur opozitën dhe dëmtuar funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Ai ka kohë që përdor këtë model qeverisje ku cështjet i porosit dhe i krijon në SHBA dhe Europë, dhe i kthen në Shqipëri si fakte dhe kërkesa të aleatit tonë strategjik.
Kur në fakt, këto janë vetëm produkte të blerjes së influencës me paratë e korrupsionit dhe të drogës që Z. Rama e kryen duke shfrytëzuar postin e tij qeveritar.
Porositja dhe furnizimi me informacion për McGonigal në ngritjen e një cështje penale për një shtetas amerikan, i cili lobonte për një parti opozitare Shqiptare, është akt i pastër korrupsioni dhe përdorimi të një zyrtari të një shteti të huaj për interesat e ngushta të mbajtjes së pushtetit të tij autokratik.

Cështjet e trajtuara në dosjen e akuzës për McGonigal tregojnë një sërë problemesh të rëndësishme në funksionimin e Qeverisë Shqiptare, sic janë investimet ruse nëpërmjet kompanive guackë, cështjet e pagesave korruptive dhe pastrimit të parave si dhe përdorimi i pushtetit për të shkatërruar opozitarizmin në vend.
Partia e Lirisë ju bën thirrje organeve të drejtësisë në vend të nisin menjëherë hetimin për këtë skandal ndërkombëtar, për veprimtarinë e Kryeministrit Shqiptar Z. Edi Rama, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Përpjekja për të blerë dhe përdorur një zyrtar të lartë të partnerit tonë strategjik, vazhdimësinë e investimeve pa transparencë dhe me kompani guackë në vendin tonë, duke mundësuar që paratë e pista ruse të futen në ekonominë shqiptare, duhet dënuar me forcë nga i gjithë opinioni dhe mbi të gjitha nga instancat e drejtësisë.

Partia e Lirisë mbështet fuqishëm politikën e Presidentit Biden, e cila e ka shpallur luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Rasti i mësipërm është një shembull konkret se si korrupsioni kërkon të kapi shtetin dhe demtojnë funksionimin e shtetit të së drejtës.
Sot Shteti Shqiptar është para provës së funksionimit të tij, të seriozitetit dhe vullnetit për të luftuar korrupsionin politik, financiar dhe të ruajë interesat e Shqipërisë dhe popullit Shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: