Në emisionin “Kjo Javë” ish kryehetuesi Lame deklaroi se ndaj tij janë organizuar tre atentate dhe ai nuk është viktimizuar. Ai pranoi problemet e komunizmit dhe tregoi pak edhe për jetën e re në Gjermani.

A ke kërkuar azil politik në Gjermani?
Ne kemi ndërtuar një jetë tjetër, jam prej 30 vitesh në Gjermani. Po kam marrë azil politik. Botimet ndërkombëtare janë edhe sot akoma, CNN, VOA, DW dhe shumë agjenci perëndimore i kanë dhënë në kohë. Janë analizuar problemet me imtësi. Jam personi i vetëm që kam marr azilin politik, të tjerët që kanë ardhur nuk e kanë marrë statusin e azilantit. Unë jam shtetas gjerman me të gjitha të drejtat.

Për periudhën e diktaturës, kemi lexuar shumë por falje apo kërkim ndjese nuk kemi dëgjuar apo parë. Duke ju pyetur në pozicionin e një njeriu të pushtetshëm, ndjeni ndonjë përgjegjësi?
Unë e kam thënë publikisht, edhe shkrimet e mia janë një reflektim për të kaluarën dhe ju them të gjithëve ajo ka qenë një periudhë e errët. Njerëzit ishin të lumtur për socializmin, e mbështesnin në parim, por nuk dinin se cfarë ishte Bota. Nuk mund të merrje asnjë njoftim, duke nisur nga unë. Kam bërë disa universitete, por nuk kam patur asnjë literaturë të huaj. Dhe kur bëra hetuesinë nuk kisha asnjë material të huaj e kam ndërtuar mbi eksperiencën tonë. Edhe një herë iu them të gjithë shqiptarëve, ajo ka qenë një periudhë e rëndë e dënueshme, kanë përgjegjësi të rëndë diktatori, Byroja Politike, të gjithë drejtuesit e organeve të drejtësisë duke përfshirë edhe veten time. Përgjegjësi të rëndë kanë sidomos ata punëtorë operativë të vecantë që përdoreshin nga udhëheqja për të realizuar proceset dhe pikërisht këto komplote janë ndjekur nga personat më të besuar. Edhe në komplotin e Mehmet Shehut u morën personat më të besuar që i ka zgjedhur Ramiz Alia.

Po ju vetë jeni ndjerë ndonjëherë i përdorur, gjatë asaj kohe?
Unë me kujdesin që kam treguar, krijova distancë dhe nuk e kam lënë veten time të përdorem. Ju kthej në kohë ata që kanë jetuar atë kohë, isha në fillim kur më morën menduan se do të isha njeri i besuar, por që një rastin e parë që dhashë mendimin për shkrimtarin unë u distancova, dhe nuk vinte më as ministri, as zv/ministri dhe as disa punëtorë operativë të takoheshin me mua. Si mu besua hetuesia e përgjithshme? Që të kuptohet drejtë, ka qenë një periudhë shumë e rëndë për regjimin e Enver Hoxhës e të Ramiz Alisë. Vrasja e Mehmet Shehut ishte një bombë që shkatërroi të gjithë iluzionin ndaj tyre. Kishte mendime se mund të ishin komplotistë të tjerë, por vrasja e Mehmet Shehut i shkatërroi. Procesi që u ndërtua për komplotin ka qenë tërësisht i montuar dhe populli nuk e pranoi. Me këtë rast duhet që të kthej në vëmendje, fillimi i gjykimit ka nisur në sallën e pleniumit të gjykatës së lartë. pastaj është bërë në burgun e Tiranës. Ishte përgatitur të jepej me pompozitet përmes televizionit.

Ministri i Brendshëm tha se nuk kishte mundësi të shkonte dhe më kërkoi të shkoja, nuk mund ta kundërshtoje atëherë. Ka nisur gjyqi, duhet të jenë dokumentet në televizionin shqiptar dhe nëse nuk janë duhet kameramanët të flasin. Kadri Hazbiu e të tjerë janë ankuar për ushtrim dhune, njëri nga të pandehurit hapi gjoksin dhe tregoi dhunën e ushtruar. Më pas u mbyll gjyqi, u mbyll seanca dhe filloi. E them këtë që të kuptohet se ai proces ka qenë i montuar dhe nuk e justifikonte veten e tij. Pse më emëruan mua në hetuesi? Unë isha person që nuk kisha probleme, kisha rezultate, isha dalluar në punë, kisha tre fakultete, po filloja të katërtin. Duhet të dini se edhe kur isha student, ose dilja në xhiro nuk kaloja nga trotuari i ministrisë së brendshme, aq e rëndë më dukej. Mua më cuan atje për një figurë të papërlyer dhe për të krijuar një situatë të re, për të thënë se po e ndryshojmë hetuesinë. Kjo zgjati për periudhën që u forcua ligjshmëria pastaj, kur pa Ramiz Alia që po i lëvizej pozicioni dhe nuk qëndronte dhe shpërtheu më pas në 2 prill, atëherë u morën masat për të më larguar. Njerëzit duhet të dinë se kanë ndodhur tre atentate kundër meje dhe fatmirësisht unë nuk jam viktimizuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb