Në një debat me gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Shkodër, Selim Kryeziu gjatë seancës dëgjimore të këtij të fundit të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimi, përfaqësuesi i ONM-së, Theo Jacobs akuzoi Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për pushimin e shpejtë të çështjes ndaj Kryeziut dhe dy kolegëve të tij gjyqtarë, ndërsa la të kuptohej se hetimet nuk kishin qenë të plota.

Jacobs, i njohur për komentet e drejtpërdrejta dhe replikat të ashpra me subjektet, e bëri të qartë që “nuk i kishte pëlqyer” vendimi i SPAK ndërsa tha se çështja ishte e hetuar në vetëm 6 muaj, sipas tij kohë e shkurtër për këto raste dhe shtoi se ishte mbyllur nga “prokurorë që nuk duhej të ishin në SPAK”.

Jacobs po ashtu e akuzoi në tërësi SPAK dhe Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë edhe për vendimmarrjen në çështjen ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci duke thënë se prokurorë dhe gjykatës “që nuk duhej të ishin aty”, ngritën akuza për vepra penale që nuk ishin vepra penale.

Daci u pezullua nga detyra prej Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit me kërkesë të SPAK për akuzën e falsifikimit. Apeli i Gjykatës së Posaçme e rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë, ndërsa tha se në çështje nuk kishte vepër penale.

I pyetur nga BIRN për këto komente drejtuesi i SPAK, Arben Kraja i kritikoi qëndrimet e Jacobs dhe mbrojti institucionin që drejton.

“Prokurorët e SPAK janë të gjithë prokurorë që kanë kaluar vetingun me formë të prerë, përfshi kontrollin nga KLP dhe vetë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM,” tha Kraja.

“ONM nëse ka pasur më të voglin dyshim për ta duhej ta kishte thënë atëherë. Nëse nuk e ka thënë ka bërë shumë gabim. Por unë nuk e besoj këtë, unë besoj që të gjithë prokurorët e SPAK janë të pastër”, shtoi ai.

Kraja tha se prokurorët ishin të pavarur në vendimet e tyre dhe se i vetmi kontrollues ishte gjykata, ndërsa kritikoi komentet e Jacobs.

“Në lidhje me çështjen ndaj Dacit, Jacobs është prokuror vetë dhe e di shumë mirë që nuk ka të drejtë t’i komentojë vendimet e gjykatës sepse është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, tha Kraja.

Ndërkohë prokurori që hetoi rastin e gjyqtarit Kryeziut, Ened Nakuçi tha se “pushimi i çështjes ishte korrekt”. Nakuçi shtoi se vendimi ishte marrë nga gjykata, ndërsa për komentet e Jacobs deklaroi “nuk di çfarë të them”.

Prokurori Klodian Braho, që ndoqi hetimet dhe ngriti akuzën në rastin e Luan Dacit, nuk qe i arritshëm për koment deri në përfundimin e këtij shkrimi.

Nga sa u prezantua në seancë dëgjimore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit akuzat për mitmarrje ndaj Kryeziut dhe anëtarëve të tjerë të trupës ishin bërë nga një prokurore e Shkodrës. Gjyqtari dhe kolegët kishin vendosur pezullimin e dënimit ndaj një të akuzuari për plagosje të rëndë, duke e lënë atë të lirë me kusht.

I akuzuari ishte gjetur fillimisht fajtor dhe dënuar me 4 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër dhe përfudimisht me 2.8 vjet pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Çështja ishte apeluar nga prokuroria që kishte kërkuar dënimin me 7 vjet burg. Por Gjykata e Apelit, në një trup gjykues ku Kryeziu ishte anëtar, pasi ka marrë çështjen në shqyrtim vendosi që ta lirojë të akuzuarin me kusht.

Gjyqtari tha në seancë se vendimi ishte i drejtë dhe se ndaj të akuzuarit nuk kishte rrethana rënduese siç pretendonte prokuroria, ndërsa shtoi se ai ishte pajtuar me viktmën dhe se ky i fundit kishte pranuar normalizimin e marrëdhënieve mes palëve në gjykatë. Kryeziu po ashtu ngriti dyshime se akuzat ndaj tij lidheshin me një prokuror të Shkodrës i cili u dërgua nga KPK në shkollën e magjistraturës për mungesë aftësish në punë dhe bashkëshorten e tij.

Jacobs këmbënguli të dinte ndërkohë se si ishte zbutur vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në atë mënyrë. Ai këmbënguli të dinte se si justifikohej vendimi i trupës në të cilën Kryeziu ishte pjesë. “Nuk dua ta di se çfarë ka bërë SPAK”, tha Jacobs disa herë, ndërsa Kryeziu u përgjigj duke iu referuar Kodit Penal dhe faktit që i dënuari përfitonte nga e drejta e lirimit me kusht./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb