Kukësi është në kërkim të një sulmuesi që të bëjë diferencën, pasi largimi i Gurit, Bakajt dhe Baldesë, kanë lënë një boshllëk të madh në sektorin ofensiv. Kupat e Europës janë mision i pamundur pa një “bomber” kalibri, ndaj dhe verilindorët e kanë kuptuar mirë këtë gjë.

Mbas firmës me Arlind Kalanë, drejtuesit janë në gjurmët e një “pyke”. Gazeta mëson ekskluzivisht se drejtuesit e Kukësit kanë gjetur dhe dëshirojnë të afrojnë “sozinë” e Sindrit Gurit. Bëhet fjalë për sulmuesin Petar Kuniç të klubit të Borac BB në Bosnjë Hercegovinë.

Sulmuesi ka ngjashmëri të jashtëzakonshme me shkodranin, duke filluar nga mosha, pasi të dy kanë lindur në vitin 1993 (me një diferencë prej tre muajsh), janë 1.90 metër të gjatë, e duke vazhduar me karakteristikat në lojë, që përveçse sulmues qendre kanë bërë dhe rolin e sulmuesit të djathtë.

Ashtu si dhe Guri, Petar Kuniç ka shpërthyer sezonin e fundit ku në 29 takime ka shënuar 12 gola. Kuniç ka dalë si futbollist nga klubi aktual i tij, Borac, e si një prej talenteve më të mirë në Bosnjë, ai është transferuar në sezonin 2013- 2014 te Dukla e Pragës në Ceki, por nuk la gjurmë. Mbas largimit nga cekët e Duklës, ai u rikthye në vendin e tij e luajti me Radnik, Rudar e Novi Pazar.

Palët janë në diskutime intensive me qëllim që sulmuesi të bëhet pjesë e Kukësit, ku Kupat e Europës natyrisht që joshin dhe futbollistë nga kampionate prestigjioze.

Petar Kunic

Bisedimet janë në rrugën e duhur, trajneri Peter Pakult ka dhënë OK-in, por tashmë i takon presidentit Gjici që të vendosë, pasi ai është personi vendimmarrës. Kukësi ka kërkuar që të ulë pak pretendimet financiare të futbollistit në fjalë, por kjo pjesë mund të ezaurohet shpejt nëse futbollisti bindet të transferohet në Shqipëri. /PanoramaSport- http://www.panorama.com.al/sport/ka-shenuar-12-gola-ne-bosnje-hercegovine-kukesi-gjen-sozine-e-gurit-video/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb