Të paktën 53 persona janë vrarë në përmbytjet e fundit në provinca të ndryshme iraniane, tha të premten një zyrtar i lartë iranian i shpëtimit dhe ndihmës.

Mehdi Vallipur, kreu i Organizatës së Ndihmës dhe Shpëtimit të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, i tha Agjencisë gjysmëzyrtare të Lajmeve Fars se 16 persona ishin ende të zhdukur.

Vallipur vuri në dukje se 3,000 persona deri më tani janë pajisur me strehim urgjent dhe 1,300 të tjerë janë transferuar në vende të sigurta.

Operacionet e shpëtimit po kryhen nga 687 ekipe shpëtimi që përfshijnë 3000 shpëtimtarë, shtoi ai.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi urdhëroi të premten ministrat, krerët e organizatave dhe guvernatorët e përgjithshëm në të gjithë vendin që të mobilizojnë të gjitha objektet e tyre për të menaxhuar përmbytjet e mundshme, sipas faqes së internetit presidenciale.

“Është e nevojshme që guvernatorët e përgjithshëm të ofrojnë ndihmë për zonat e përmbytura në provincat e tyre ose për disa provinca fqinje,” tha ai.

Më herët gjatë ditës, Hossein-Ali Mohammadi, kreu i Organizatës së Menaxhimit të Krizave të Provincës Mazandaran, tha se përmbytja ka rezultuar në shembjen e pjesshme të një ndërtese dhe shkatërrimin e një ure, përveç dëmtimit të një rruge provinciale.

Mohammadi tha se në disa qytete, rrjetet e energjisë dhe telekomunikacionit kanë pasur ndërprerje të përkohshme.

Reshjet e dendura të vazhdueshme pritet të vazhdojnë deri të hënën. Deri më tani në 20 provinca iraniane, përmbytjet kanë shkaktuar dëme në 100 qarqe dhe 300 fshatra.

Banorët në zonat e prekura janë paralajmëruar të mos shkojnë në zona me rrezik të lartë, si brigjet e lumenjve dhe rrjedhat ujore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb