Teksa nuk na ndajnë shumë nga zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, analistët Fatos Lubonja dhe Artur Zheji komentuan deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha për atë që e cilësoi strategjinë për të fituar këtë proces.

Zheji, i ftuar në emisionin “Pikat mbi I” në ‘News24’ tha se ka thashetheme se njëra nga palët do të tërhiqet nga gara për zgjedhjet lokale, për t’i hapur rrugë demokratëve. Mes të tjerash ai parashtroi edhe një nga tezat se Berisha mund të dalë me kandidatë të pavarur në 6 mars, duke marrë si shembull ish-kryebashkiaken Voltana Ademi në Shkodër.

Ndërkohë, analisti Lubonja tha se objektivi i Berishës për të mundur Ramën është minimal. Po ashtu, Lubonja tha se e sheh Berishën të paqartë.

PJESË NGA DISKUTIMI
Zheji:
Ndoshta Berisha ka këshilltarë që ne nuk i kemi dhe ka një as nën këmbë që do e nxjerrë në kohën e duhur. S’bëhen veprime para zgjedhjeve. S’janë më shumë se 30 ditë, pasi muaj shkurt është i shkurtër. Ai as nuk do as nuk mundet që të regjistrohet. Si kandidat i një subjekti politik se bën dot. Gjykata vendosi që kryetar i PD-së është Basha dhe ai nuk dublohet dot. Nëse është regjistruar LSI, dhe të nxjerrë një kandidat të përbashkët, ose të dalë me kandidat të pavarur. Edhe në Itali ka ndodhur kjo. Njerëz me vizion bëjnë listën e tyre. Pra mund të jenë njerëz përtej të majtës dhe të djathtës. Në Shqipëri, i vetmi qark ose qytet që ha diskutim ë fortë, është Shkodra. Aty dihet se do jetë bastion i së djathtës. Aty e vetmja mundësi që ka zoti Berisha, është që meqë e ka zgjedhur zonjën Voltana Ademi, ta fus si kandidate të pavarur. Ose t’i thotë LSI që ta kandidonte Ademin. Ndoshta është një negociatë. Ka një thashethem korridoresh që njëra nga palët mund të tërhiqet nga zgjedhjet. Flitet për një koordinim tjetër. Ndoshta jam duke spekuluar. Por komente me rëndësi korridoresh thonë se është hedhur kjo negociatë, ku njëra nga palët të tërhiqet, që mos të çahet vota e djathtë përballë PS-së.

Lubonja: Një nga objektivet e mundshëm është që të ndahet shapi nga sheqeri në PD. Në të 6 ato bashki ku do të votohet, ku duhet të ishte objektivi i parë i Berishës. Të bashkosh këtë me objektivin se do të fitojmë edhe kundër Edi Ramës, që do të fitojmë dhe do të bëjmë revolucionin dhe do marrim pushtetin, janë gjera që kërkojnë prioritet. Kjo paqartësi reflektohet. Këto zgjedhje kanë interes pikërisht për të sqaruar, jo se zgjidhin problemin e PD, por një gjë është që të përqendrohesh te kjo. Ai thotë (Berisha) që do bëjmë dhe primaren, por primaren brenda PD-së dhe jo te LSI. Pra do të duhet të nxjerrësh një figurë. Këtu se çfarë do të ndodh, se dimë! Ajo që unë gjykoj, se duhej të ndodhte në rastin konkret, është që të dilet qartazi me kandidatë që dallohen qartazi nga PD e Bashës, pra kjo PD e Berishës dhe të bëhej kjo luftë. Të tjerat lërja të ardhmes tjetër. Po t’i bësh hesapet me pak bon-sens, më duket se objektivi për të mundur Ramën në këto qytete, është minimal. Mund të jetë vetëm Shkodra që ka pasur diferenca. A po ndërton ky një lëvizje që të sfidojë këtë krahun tjetër ku të fusë dhe Ramën?! Që brenda PD të tërhiqet njëra palë se besoj.

Zheji: Berisha tha se po bëhen negociatat. Aleatët kanë thënë se nuk janë me asnjë nga palët. Pra negociatat me aleatët që nuk mbështesin asnjë palë, pra do të thotë se nuk duan të bëhen pjesë e ndarjes së PD. Nëse Berisha nënkupton tërheqjen e aleatëve me logon e tij, ai se ka një të tillë. Nëse do të marrë hua një nga logot psh të PR-së. Pra Voltana Ademi do të deklarohet si republikane, por ata akoma s’janë regjistruar. Ose ata që këshillojnë Berishën nuk janë të zotë, ose doktori po kërkon që të shtyjë skandencat zgjedhore për të thënë; ‘Rama na nxori jashtë loje’, ose javën tjetër të përcaktojë kandidatët dhe formën me të cilën do paraqitet para zgjedhjeve. Vonesë ka dhe Lulzim Basha. S’di të ketë kandidat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb