Shpëtim Duro, një nga emrat më të njohur të trajningut shqiptar, ka bërë sot analizën e ngjarjeve më të fundit në futbollin shqiptar. Në emisionin “Sport News” në “News 24”, te moderuar nga Enxhi Biba, Duro është ndalur mbi gjendjen e futbollit shqiptar duke filluar nga Diego Longo, i cili është duke u larguar nga Kukësi.

Situata e Longo – “Unë flas ne emrin tim personal, ka trajnerë që bëhen vegla të presidentëve, por sa kam punuar te Kukësi nuk kam pasur sinqerisht asnjë lloj ndërhyrje. Në çdo skuadër kam mënyrën time të punës.

Ndoshta ndonjëherë presidentët kërkojnë pak më shumë dhe kanë të drejtë se shpenzojnë e investojnë. Por në çdo skuadër ku kam qenë i kam besuar gjithmonë zgjedhjeve të mia teknike dhe stafit se punët janë të ndara, ka trajnerë që pëlqejnë ndërhyrjen e bashkëpunimin.

Ai nuk duhet të çuditet, unë edhe tek Laçi, ndoshta ishin zgjedhjet e mia të pavarura personale e teknike, që ishte arsyeja pse Laçi pati sukses në kampionat dhe kupat e Europës. Çdo gjë duhet t’i besohet trajnerit, patjetër që duhet të japin llogari, por jo të jenë mbartës të vendimeve të drejtuesve”.

Tirana është e para – “Tirana është në vendin e parë, komplimente, por mos harrojmë që Tirana në raport me Teutën ka patur kundërshtarë të lehtë në letër. Teuta ka kaluar prova shumë të vështira dhe merita më shumë ka Teuta. Ndërsa Tirana kam mendimin që ka gabuar. Fitorja me Laçin ishte një përballje e rëndësishme për Tiranën si për Laçin.

Fitorja i ka dhënë qetësi, por kam mendimin që tani fillojnë përballjet direkte për të treguar vlerat e vërteta. Se edhe në takimin e djeshëm fitoi, por Tirana nuk më bindi. Kishte momente të mira por nuk është ajo Tiranë e sezoneve të kaluara, ka potencial e ka futbollistët, por ka probleme teknike të agresivitetit, lëvizshmërisë, nuk është strike në zbatimin e detyrave.

E fitoi me Laçin por për arsye të gjendjes jo të mirë Laçit, gabimeve që bënë në lojë, sesa Tiranës. Deri në këto momente nuk e shoh atë Tiranë që e kemi parë në sezonet e kaluara me grintë e personalitet. Vlerat e veta do i tregojë në përballjet që ka tani, potencialin e ka”.

Paraqitja e Laçit – “E kam të vështirë të flas për Laçi, janë lojtarë që i kam stërvitur në verë, ishte një skuadër që pretendoi për titull deri në javën e fundit me Teutën. Arritëm të krijonim grup të mirë, bëmë skuadër kompetitive, bëmë ndeshje shumë të mira ndërkombëtare dhe arriti nivel të lartë.

Isha i bindur që është një skuadër për titull kampion, se ishte e konsoliduar. Nuk është problem vendi i fundit, por sinqerisht e them që nuk është ajo skuadër që unë kisha, arsyet nuk i njoh fare. Nuk ka ndryshime, i vetmi që u largova isha unë”.

Derbi i kryeqytetit – “Më ka bërë përshtypje Dinamo që luajti më mirë. Inferioriteti ndikon, Partizani duhej ta shfrytëzonte dhe e shfrytëzoi deri në barazim. Me çuditi që pas barazimit e pashë Partizanin sikur u pajtua me atë rezultat, Dinamo kërkoi ta fitonte me 10. Pozitive te ky takim ishte si u arrit për Dinamon”.

Starti i kampionatit i Partizanit – “Unë e kam drejtuar disa herë, edhe tifozët janë të ndjeshëm ndaj situatës. Partizani është një skuadër që ka patur edhe ndeshje të mira. Mendoj se është skuadra më e mira në kampionatin shqiptar me organikë dhe investime, por rezultatet nuk kanë ardhur.

Janë katër ndeshje, çdo gjë është e hapur, problemi është kur nuk zhvillon lojë e nuk ke futbollistë. Por Partizani po vuan në të gjithë aspektet. Edhe në mbrojtje që ka qenë më solide ka gabuar në çdo ndeshje, nuk ka shënuar në aspektin sulmues, mos gabohem ka gola vetëm me penallti.

Pra, ka jo vetëm defekte në repartin e sulmit, por në momente të veçanta ka gabuar edhe në repartin e mbrojtjes. Skuadra është, pjesën më të madhe unë i kam drejtuar, ka kapacitet e potencial dhe them se edhe Partizani do të vijë sesbën”, tha Duro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb