TIRANË

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi foli sot për regjistrimin e PD-së në zgjedhjet e 14 majit. Celibashi deklaroi se ka vetëm një Parti Demokratike, e cila nëse do të plotësojë kushtet për t’u regjistruar do të regjistrohet.

Ai theksoi se në datën 3 gjykata do të vendosë në lidhje me konfliktin se cili është organi udhëheqës i PD-së duke vlerësuar se është angazhim pozitiv i gjykatës për t’u disponuar për këtë çështje para se të fillojë procesi elektoral.

“Ka vetëm një Parti Demokratike, e cila nëse do të plotësojë kushtet për t’u regjistruar do të regjistrohet. Në dijeninë time nuk ka dy PD dhe s’mund të kishte dy PD sepse nuk mund të ketë dy parti politike me të njëjtin emër.

Është një parti politike e quajtur PDSH. Në momentin që do të paraqitet kërkesa për regjistrim do të vlerësojmë dokumentacionin bashkëshoqërues të kërkesës për regjistrim dhe do të vlerësojmë cilësitë e personave që paraqesin kërkesën për regjistrim të PD-së.

Besoj që në datën 3 gjykata do të vendosë në lidhje me konfliktin se cili është organi udhëheqës i PD-së dhe vlerësoj që është angazhim pozitiv i gjykatës për t’u disponuar për këtë çështje para se të fillojë procesi elektoral sepse nuk lidhet thjesht me procesin e regjistrimit, sikurse është pjesëmarrja në zgjedhje e një partie politike. Flasim për partinë kryesore të opozitës. Duhet të jetë e qartë se kush është edhe nga pikëpamja formale organi drejtues i asaj partie”, deklaroi Celibashi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb