Në prag të derbit kundër Tiranës, te Partizani situata nuk është aspak e mirë sa u takon dëmtimeve. Ergys Kaçe ka humbur këtë sfidë të rëndësishme. Mesfushori pësoi një dëmtim rreth dy javë më parë dhe kundër Kukësit sakrifikoi dhe luajti i dëmtuar, duke shtrënguar dhëmbët për rreth 60 minuta.

Por kjo rezultoi një sakrificë jo e mirë. Dhe tani nuk pritet që të rrezikohet sërish me gjendjen e mesfushorit dhe stafi teknik është këshilluar nga mjekët që Kaçe të mos aktivizohet në derbi dhe t’i jepet kohë riaftësimi.

Por trajneri Daja mund të humbasë edhe një lojtar tjetër titullar. Sulmuesi Tedi Cara ka pësuar tërheqje dhe prania e tij në fushë është në dyshim. Nuk dihet ende nëse Cara do të sakrifikohet. Nuk mbarojnë këtu hallet e stafit teknik.

Sulmuesi brazilian Lukas Kardozo me shumë gjasa e ka mbyllur vitin pas dëmtimit në klavikul. Kardozo u dëmtua në takimin kundër Kukësit, duke nxjerrë shpatullën dhe do t’i nënshtrohet një operacioni.

Në repartin e sulmit, trajneri Ilir Daja ka tashmë vetëm dy alternativa, Stenio Zhunior dhe Andrija Filipoviç, ndërsa i riu Marinaj është zëvendësuesi i vetëm. Në kampin e kuq kryqëzojnë gishtat për Tedi Carën, që të jetë i gatshëm deri të hënën në mbrëmje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb