Ergys Kaçe padiskutim është mesfushori me më shumë talent në kombëtaren Shqiptare, por kapriçot po e dëmtojnë së shumti. Shkëndijat e një karakteri të pamenazhueshëm, korçari, i kishte shprehur me kohë që tek Paoku. Një zënkë me trajnerin e detyroi klubin grek që ta huazonte në Çeki, tek Plzen. Muaji i parë shumë i mirë, faktor derteminant në mesfushë. Mirëpo kur gjithçka po shkonte ashtu siç duhet vjen krisja me klubin, që e detyron lojtarin të stërvitet me ekipin e moshave.

Kaçe nuk ndalet me kaq, por e njëjtë situatë ndodh edhe me Shqipërinë, kombëtaren e të gjithë shqiptarëve. Pas akuzave të njerëzve që janë afër ekipit, për neglizhencë në stërvitje, sikur mbërrin me zor në kombëtare, vjen edhe krisja me trajnerin De Biazi. Duket se deri në largimin e këtij të fundit, mesfushori e ka të vështirë të grumbullohet ose ndoshta të pamundur.

Rey Manaj nuk ka shumë ndryshim nga Kaçe. Sulmuesi njihet për kokfortësin që si duket po e merr në qafë. Në fillim pati vënë në diskutim aftësitë e trajnerin të kombëtares me arsyen se pse nuk po e thirrte atë, por më pas u detyrua t’i kërkonte falje atij. Pas kësaj vjen edhe momenti kur shqiptari ndez polemikat me trajnerin e Peskarës, Massimo Odoo, në një kohë ku pritej që Manaj të ishte titullar në ekip. Situata duket e agravuar pasi italiani u shpreh qartësisht se ekipi nuk ka ndryshime edhe pa të.

I fundit në këtë listë për momentin është bomberi Armando Sadiku. Një e kaluar e errët në kategorinë superiore në kohën kur aktivizohej me Elbasanin. Konfrontim me arbitrin që e detyroi FSH-në ta dënonte me dy vite larg fushave, por zbutja e saj solli që mes shumë peripecish të aktivizohej në Zvicër. Atje ku kohët e fundit situata nuk është më e mira. Zënka me shokun e skuadrës për një 11-metërsh bëri që presidenti t’i “tërhiqte” veshin. Sadiku regjistron kështu përplasjen e dytë me klubin pas asaj në verë ku nuk e lejoi të largohej.

Nëse këta lojtarë duan të ndërtojnë një karrierë për t’u mbajtur mend atëherë Mario Balotelli nuk është një shembull. Shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten më pasi kjo nuk do të ishte keq vetëm për ta, por edhe për tifozët e kombëtares që i kanë benjaminët e tyre.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: