Pjesa e dytë

  – Copëza ngjarjesh nga një mbledhje historike, me pjesëmarrjen e diktatorit-

Enver Hoxha, megjithëse nuk ishte njoftuar se do të merrte pjesë, erdhi befas në një takim me inteligjencien e Tiranës, ku u diskutuan edhe probleme shqetësuese që kishin lindur në krijimtarinë poetike shqiptare. Jo vetëm kaq, por, nga dëgjues i vëmendshëm i diskutimeve të poetëve të afirmuar komunistë që kritikonin ashpër poetët e rinj, të cilët kërkonin shtigje dhe mjete të reja shprehëse në krijimtarinë poetike, si dhe dëgjues po kaq i vëmendshëm i përgjigjeve të këtyre të fundit, çuditërisht u bë “gjyqtar” për të vendosur paqe midis tyre. Dhe kjo për arsye që do të dalin në pah në këtë shkrim dossier në disa numra.                                              

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Po të njëjtat ngjyrime gjejmë edhe në poezinë erotike të  Fatos Arapit, i cili shkruan:

”Miliona dashuri u nisën në takime/

Po ecin përmbi taka të holla, të shpejta/

Dëgjoni trokëllimën e rrëmbyer të tyre/

Nën trokëllimën ritmike të këmbëve të lehta/

Me gëzim të kthjellët, drejt dashurisë rend jeta…”

Pikërisht kjo mënyrë e re, ky stil poetik që befasoi lexuesit në fillim të viteve ‘60-të, nuk u pëlqeu “poetëve të brezit të vjetër”, të cilët shihnin në këto dukuri, “shkarje të dukshme nga traditat e poezisë shqiptare të asaj periudhe”.

Kurse  në të vërtetë, duhet të themi se në këtë rast kemi të bëjmë me vazhdimin e traditave më të mira të të poezisë shqipe, duke filluar nga Noli, Poradeci dhe sidomos Migjeni.

Është pikërisht kjo arsyeja që e shtynte asokohe kritikun dhe poetin Drago Siliqi, të botonte në fillim të vitit 1960 një artikull me interes “Në kërkim të së resë”, ku ai, duke trajtuar probleme të poezisë bashkëkohore, shkruante: “Formën në poezi e përbën, në radhë të parë, i gjithë sistemi i sintezës figurative që përdor poeti, për të përgjithësuar tiparet kryesore të fenomenit që pasqyron. Forma, pra, me fjalë të tjera, është mënyra e të shprehurit të përmbajtjes dhe këto dy nocione gjenden gjithmonë të gërshetuara me njëra-tjetrën. Në nocionin e formës hyjnë pastaj edhe gjuha, ritmi, rima, dhe veçoritë tjera stilistike të poetit”.

Ky pohim i drejtorit të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në atë kohë, ishte dhe një afirmim i rrugës që po ndiqnin poetët Kadare, Agolli, Arapi dhe disa të tjerë, dhe, ndonëse jo hapur, një kundërvënie ndaj poetëve të vjetër, të cilët nuk pajtoheshin me këto kahje  të reja të poezisë sonë.

Pikërisht në këto rrethana zhvillohej edhe takimi i 11 korrikut të vitit 1961. Kishte ardhur koha e një ballafaqimi të madh midis “poetëve të vjetër” dhe “poetëve te rinj”.

Tashmë mbi ta si gjyqtar, vihej Partia. Ajo dërgonte atje  shefin e ideologjisë në Komitetin Qendror, Ramiz Alinë. E nuk mjaftonte kjo, por në atë sallë ku do të mbahej ky takim, shfaqej si papritur e pa kujtuar, edhe vetë Enver Hoxha!

Sulmi i poetëve të vjetër: Andrea Varfi, Llazar Siliqi dhe Luan Qafëzezi

Si prolog i takimit ishte “Diskutim rreth vendimit të Komitetit Qendror të PPSH-së mbi Letërsinë dhe Artet”, (7 qershor 1961), botuar në gazetën “Zëri i Popullit”.

Në këtë diskutim, midis të tjerash shkruhej: “Trajtimi i heronjve pozitivë…! Shkrimtarët të rrojnë sa më afër me popullin. Për këtë qëllim, të përdoren sa më gjerë e me vend lejet krijuese, të shfrytëzohet koha e punës fizike…! Pjesëmarrja në ekipet me afat të gjatë, bashkëpunimi me organet e shtypit…! Është e domosdoshme të shumëfishohen përpjekjet e vetë shkrimtarëve dhe artistëve që të lidhem  sa më ngushtë me popullin…, të shkrihen me jetën e popullit”.

Këto ishin pak a shumë disa nga tezat kryesore që përmend Fatos Arapi në librin e tij me mjaft interes, “Kujtohem që jam”, (faqe 63, 1997), të cilit do t’i referohemi disa herë gjatë këtij cikli shkrimesh.

Takimi i 11 korrikut të vitit 1961, u hap me referatin e Ramiz Alisë, sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Duke ritrajtuar tezat e mësipërme, ai u ndal në dukuritë e reja që viheshin re në poezinë shqiptare. “Theksi i referatit’, – nënvizon Fatos Arapi në librin e tij, ‘godiste më tepërt rinjtë”. (faqe 71).

Dhe kur pas këtij referati nisën diskutimet, të parët që e morën fjalën qenë përfaqësuesit më në zë të “poetëve të vjetër”, midis të cilëve edhe komunistë. Kishin marrë edhe më shumë zemër, sepse referati në fjalë u hapte shtigje te reja. Kurse për “poetët e rinj” krijohej një atmosferë e rëndë, aq më tepër, kur në sallë ndodhej vetë Enver Hoxha dhe shumica e anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror.

Gjithnjë duke u mbështetur të veprën e Fatos Arapit, “Kur kujtohem që jam”, po paraqes disa fragmente nga diskutimet.

Andrea Varfi: “Të jesh artist i realizmit socialist dhe të ndjekësh në të njëjtën kohë novatorizmin për hir të novatorizmit, është krejt pa kuptim dhe punë e dështuar që në fillim…

Cilësia dhe vetëm cilësia artistike të bën novator dhe origjinal dhe aspak akrobacitë dhe majmunizimet e të huajve. Futuristët, me shokë, deshën të varrosnin çdo gjë të trashëgimit kultural dhe artistik të së kaluarës. Edhe sot izmat e ndryshme që pjell borgjezia imperialiste në kalbëzim, nuk lë gur pa luajtur në kët drejtim…”.

Siç shihet, diskutimi mbarte nota shumë të ashpra dhe kuptohet mirëfilli se u drejtohej vetëm poetëve të rinj, që me prirjet e tyre, sipas Varfit, po vazhdonin madje edhe rrugën e futuristëve.

Llazar Siliqi: “Unë jam i mendimit se ne e kemi një letërsi dhe art novator dhe nuk ka mbet puna që atë ta fillojmë me e krijua sot, pa mohu përpjekjet e ma tejshme që ne të gjithë duhet të bëjmë për ta çue edhe ma përpara letërsinë dhe artin tonë novator…!

Karakteri novator kuptohet disa herë, nga njena anë si ndryshim, ose ma saktë si thyemje e formës dhe, nga ana tjetër, novatorizmi dhe fryma e kohës kontestohet atje ku ka fjalë të reja si asfalt, najlon dhe tematikë ndërkombëtare. Mendoj se edhe  kërkimi  i tepruem i figurave dhe ngarkimi me figura, kur kjo shndërrohet në një kërkesë të domosdoshme për çdo varg, mund të çojë në rrugë jo të drejtë dhe mund ta bajë të vështirë kuptimin nga lexuesi”.

Por shumë më i ashpër qe në diskutimin e tij poeti Luan

Qafëzezi, i cili, ndër të tjera theksoi: “Në vitet 1960-‘61, vargjet e lira filluan të duken përsëri në shtypin tonë të përditshëm dhe periodik, por këtë herë me një formë të re, më me pretendime, duke dashur të thyejnë të gjitha normat tradicionale të metrikës sonë nën pretekstin e një farë “novatorizmi”…!

Përdorimi i vargjeve të lira nga disa poetë, nuk duhet shikuar si një çështje thjeshtësisht formale, si një çështje teknike dhe pa rëndësi. Përkundrazi, kur përdoret pa kriter, duhet parë si fenomen negativ dhe, në qoftë se nuk frenohet me kohë, mund t’i sjellë dëme poezisë sonë. Edhe disa dëme ia ka sjellë që tani. Ne prapa këtij “modernizimi”shikojmë një një goditje që i bëhet esencës kombëtare të poezisë sonë. Thjesht, në këtë lloj poezie gjen mjegullime, pa qartësira, përçartje dhe figura ekstravagante.

Tema e saj kryesore është tema ndërkombëtare, shekulli i 20-të, kozmosi e të tjera, duke u larguar kështu nga jeta shqiptare e përditshme, nga problemet që preokupojnë Partinë në mënyrë direkte. (F. Arapi, vepër e cituar , faqe 73-74-75).

Pa qenë nevoja të zgjatemi, shihet qartë se diskutimet e poetëve të mësipërm qenë tendencioze, madje edhe të m’veshura me një farë  ligësie. Me një fjalë, ata mohonin tërësisht poezinë e kolegëve të tyre të rinj. Për më tepër, këtë e bënin para vetë Enver Hoxhës, të bindur që ai do t’u jepte plotësisht të drejtë.

Tani e kishin radhën “poetët e rinj”. Duhej jo vetëm të mbroheshin, por edhe të kundërsulmonin, sepse, në fakt, mbrojtja  më e mirë në të tilla raste, është sulmi. Ishte e rrezikshme, por edhe e domosdoshme.

3

Dhe kështu ndodhi…

Mbrohen dhe kundërsulmojnë:  Kadare, Arapi, mungon Agolli!

“Seanca e para ditës mbaroi. Salla u boshatis dhe unë po rrija i vetëm dhe i dëshpëruar ende në karrige. Parandjeva rrezikun që u kërcënohej të rinjve. Andrea Varfi, Llazar Siliqi dhe Luan Qafzezi, kishin thënë aq, por ishte e natyrshme që nënteksti dhe çfarë lexohej midis radhëve të shkruara, ishte akoma shumë i rëndë”.

Kështu shkruan Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam” (faqe 75). Më tutje vazhdon:

“E mori dreqi këtë punë”, – mallkova veten nëpër dhëmbë dhe u çova të dilja jashtë. Në krye të sallës bisedonin midis tyre më zë të ulët Nexhmia Hoxha dhe Fiqrete Shehu…! Atëherë Nexhmia më tha: “A do të diskutosh, Fatos”?  “Jo, – iu përgjigja i dëshpëruar”. “Pse’? – pyeti Nexhmia. – Partia ka nevojë të dëgjojë fjalën tuaj”. (Kështu tha “tuaj”, që nënkuptonte: “Partia ka nevojë të dëgjojë fjalën e të rinjve”, (faqe 76).

Më pas Arapi rrëfen se si u takua me Ismail Kadarenë e Dhori Qiriazin dhe se si, duke ngrënë drekë në një restorant të Tiranës, vendosën që dy të parët të diskutonin në seancën e pasdites të kësaj mbledhjeje, që ishte edhe seanca e fundit. Fatos Arapi, kujton se Agolli nuk ishte në mbledhje. Flitej se kishte shkuar në Durrës. Megjithatë, siç do ta shohim, do të thoshte fjalën e tij në artikullin “Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, (Gazeta “Drita”, 27 gusht 1961).

Po rendis më poshtë disa fragmente nga diskutimet e poetëve në fjalë, që, ndonëse të rinj në moshë, ditën, jo vetëm të mbronin veten, por të hidhnin poshtë me argumente të matura dhe të zgjuara akuzat pa vend të poetëve të  brezit të vjetër.

Ismail Kadare:

”Problemi i ngritur kohët e fundit në diskutime dhe në faqet e gazetës “Drita”, në esencë të tij është problem fiktiv, i fryrë me qëllim nga disa njerëz. Bile, me sa duket, këta njerëz nuk e kanë hallin te vargjet e lira, por te poezia e disa poetëve të rinj, të cilën poezi nuk e pranojnë dhe duan ta hedhin poshtë në çdo mënyrë…! Vargu i lirë lidhet pa tjetër te ne nga disa me emrin e modernizmit. Po sikur të ngriheshim e të thoshim, të nisur nga poezia formaliste, se vargjet më të rregullt kanë qenë të lidhur me Monarkitë dhe kanë lulëzuar me tërë akademizmin e tyre, sidomos pranë oborreve Mbretërore? Këto përfundime, kur nisesh nga formalizmi, të çojmë në qorrsokak…!

Unë mendoj se, në kohën tonë nuk është bërë te ne asnjë shpikje forme. Te ne përmbajtja e re ka sjellë gjetjen e disa mënyrave të reja shprehjeje, disa herë me sukses e disa herë pas sukses. Asgjë tragjike nuk ka ndodhur, asnjë traditë s’është mohuar, asnjë klasik s’është përbuzur.

Në qoftë se arti është i vërtetë, ai do të ketë patjetër të renë, novatoren. Novatorja mund të jetë edhe brenda strofave të rregullta, ashtu siç mund të jetë konservatorja në mes të vargjevet e lira”. (Revista “Nëntori”, 11, 1961).

Fatos Arapi në diskutimin e tij, siç do të shohim, shkoi edhe më tutje, duke zbuluar se te poetët e vjetër fshihej synimi që t’i zhvendosnin poetët e rinj gati në opozitë:

”Shpesh here, – tha ai,- na qortojnë se gjoja jemi mosmirënjohës, nënçmojmë gjithçka që është krijuar te ne dhe në mënyrë të veçantë gjithçka që është krijuar te ne pas çlirimit e këndej. Akuza, siç shihet, është e rëndë. Ta themi hapur, ajo i nxjerr poetët e rinj në pozita antimarksiste.

Në qoftë se se dikush kë bërë traditë të tij “personale” të shkruajë vjersha të dobëta, dhe këtë traditë kërkon të na e shesë si traditë kombëtare, këtë ne nuk e pranojmë kurrë. Tjetër punë pastaj në qoftë se mendon që, respekti kundrejt tij tregohet duke shkruar vjersha edhe më të dobëta…! Por mua më duket se problemi i vargut të lire, nuk ngrihet drejt…, lihet përshtypja sikur është ky varg i lirë që i ndan tradicionalistët  nga jo tradicionalistët, klasikët nga jo klasikët, të ashtuquajturit modernë…!

Nuk e ka fajin vargu. Dhe në qoftë se dikush, duke bërë poezi të këqija ka diskretituar veten e tij, ai nuk ka diskredituar tetërrokëshin tonë të mrekullueshëm. Ky poet duhet të kuptojë se vargu i thyer, nuk i ka rrëmbyer atij lavdinë poetike që s’e ka pasur…! Shyqyr që na doli vargu i lirë, sepse disa kështu kanë rreth kujt të bëjnë zhurmë dhe të tregojnë se ekzistojnë, janë gjallë…! (Revista “Nëntori”, 11,1961).

Është e kuptueshme se pas këtyre dy diskutimeve që dukeshin se ishin vazhdimi logjik i njeri-tjetrit, me argumente të qarta, ku mbrohej ajo që ishte për t’u mbrojtur, tradita, fjalë me të cilën poetët e vjetër kishin spekuluar në diskutimet e tyre, duke u rrekur t’i vinin poetët e rinj në bankën e të akuzuarve, u krijua një mjedis i tendosur.

Për më tepër, kur në presidium ndodhej vetë Enver Hoxha dhe referat mbajtësi, Ramiz Alia, për të mos përmendur, siç thamë, dhe anëtarë të tjerë të Byrosë Politike.

Ishte hera e parë që në një takim letrar të bëheshin diskutime krejtësisht të kundërta me njeri-tjetrin, të cilat dëshmonin se problemet ishin shumë të mprehta. Mund ta kishte marrë fjalën Ramiz Alia për të bërë konkluzionet. Por kjo ashtu, siç kishin rrjedhur ngjarjet, u bë e vështirë për të, aq më tepër që  Ismail Kadareja dhe Fatos Arapi, me diskutimet e tyre, në një mënyrë a në një tjetër, i ishin kundërvënë edhe vetë shefit të ideologjisë në Komiteti Qendror.

Ja përse në fund të takimit u ngrit vetë Enver Hoxha. Më këtë veprim, ai dëshmoi se nuk kishte ardhur në këtë takim thjesht për të përshëndetur, por për të gjetur një rrugë të mesme pa qetuese. Shkurt, siç e thamë dhe më sipër, për t’u bërë  gjykatës midis poetëve të vjetër e poetëve të rinj.

Flet diktatori Enver Hoxha

Nuk është problem çështja “të rinj” dhe “të vjetër”!

Kjo është një nga shprehjet ku e vuri menjëherë theksin Enver Hoxha, që atë ditë, e përsëris, ishte veshur me një kostum të bardhë, si të dëshmonte se kërkonte të vendoste mirëkuptim në këtë mjedis që po bëhej i ndezur.

Dhe kështu ishte. Që ai të kishte lexuar referatin e Ramiz Alisë, mbajtur në këtë takim, ku do të diskutohej vendimi i  Komitetit Qendror të PPSH-së  “Mbi letërsinë dhe artet”, (7 qershor 1961) dhe ta kishte aprovuar atë, as që vihet në dyshim. Pra, që ai të kishte miratuar, gjithashtu, edhe kritikat që Ramiz Alia do t’i drejtonte poetëve te rinj, edhe kjo nuk vihej në dyshim.

Si pasojë, ai edhe mund të mos kishte ardhur në këtë mbledhje. Por ja, pra, që erdhi, se kështu e pa të arsyeshme, pikërisht  disa çaste para fillimit të takimit, kur askush nuk e priste.

“Shoku Andrea Varfi, – nisi të fliste Enver Hoxha, – kur zuri të diskutonte, – theksoi se atij i pëlqen tetërrokëshi. Edhe mua më pëlqen tetërrokëshi, edhe dhjetërrokëshi. Dhe kur dëgjova diskutimin e shokut Andrea, i thashë në pushim se unë jam dakord me pikëpamjen e tij. Atëherë Andrea, i’u kthye shokëve dhe u tha me shaka: ”Flisni tani po të doni”. Por në fakt u gabua. Dhe e vërteta është se dolën shokë e folën, diskutuan, dhe mbrojtën me zjarr pikëpamje të kundërta.

Të them të drejtën, veç për një gjë nuk më erdhi mirë, që doli sikur çështja shtrohet “të vjetër” e “të rinj”. Të rinjtë, me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre, bëjnë mirë që na shkundin ne, të vjetërve. Prandaj, unë nuk besoj kurrë që shkrimtarët dhe artistët e vjetër, duan të pengojnë krijimtarinë e më të rinjve, veçse ata, duke patur kaluar më parë nëpër këto shtigje, kanë frikë se mos nga hovi i madh, ju shkisni  nga rruga…! Por unë jam i bindur se ju,  shokë të rinj …nuk do të ecni kurrë në rrugë të gabuar…!

Unë kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë. Kam lexuar,   p.sh., atë që ai i ka kushtuar kalasë së Gjirokastrës, (“Princeshës Argjiro”), dhe mua më ka pëlqyer. Kam lexuar edhe vjersha të tjera të Kadaresë, të cilat më kanë pëlqyer dhe kam përshtypjen se ai është një i ri me talent. Mendimi im personal është se gjersa vjershat tuaja të kenë përmbajtje marksiste, me të vërtetë patriotike, mobilizuese, edukative dhe formë të bukur, tërheqëse, të qartë, ato s’kanë sepse të mos pëlqehen…! Afirmohuni me vargun tuaj dhe në rast se ju do populli, ai varg është i mirë. (Revista “Nëntori”, 11, 1961).

Me fjalë të tjera, Enver Hoxha, duke u vënë përballë “poetëve të rinj” dhe “poetëve të vjetër”, u jepte të drejtë të dyja palëve. Pra, nga një anë këshillonte të vjetrit të mos sulmonin të rinjtë, por, nga ana tjetër, u vinte një farë kushti këtyre të fundit që, nëse poezia e tyre do të pëlqehej nga lexuesi, të cilin ai e quante populli, ajo poezi ishte e vlefshme.

“Në këtë mënyrë ai “kërkonte unitet”, – vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”.

Të mos harrojmë, jemi në korrik të viti 1961, kur  nëntë muaj më parë ishte zhvilluar Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste, në të cilën Enver Hoxha kishte dalë kundër vijës politike të revizionistëve sovjetikë dhe disa muaj më pas, në në tetor të atij viti, kur kundërshtitë ideologjike midis partive komuniste të të dy vendeve, do të bëheshin të njohura botërisht nga vetë Hrushovi në Kongresin e 22-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: