Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në një konferencë për mediat, ka treguar të gjitha parregullsitë e ndodhura në institucionet shtetërore në disa bashki të vendit. Ai tha se në Bashkinë e Durrësit ka konstatuar lëshime lejesh legalizimesh pa respektuar ligjin. Po ashtu ai përmendi rastin e një doganieri në Korçë, i cili ka falsifikuar diplomën e shkollës.

Sipas Manjës, ky doganier, por edhe noteri që ka kryer këtë akt, janë kallëzuar. Sakaq, Manja nënvizoi se ka parregullsi edhe për dhënien e lejeve të ndërtimit, sidomos në zonat bregdetare. Gjithashtu theksoi se problematike është situata e ripërtëritjes së lejeve të ndërtimit nga Gjykatat. Sipas tij, nuk duhet të ripërtërirë këto leje, pasi dhe dinamikat kanë ndryshuar nga dhënia e lejes në afatin e parë.

“Konstatoj që të gjitha rastet e referuara nga njësia anti-korrupsion janë regjistruar si vepra penale dhe po hetohen me seriozitet. Në rastin e Fierit ku denoncuam 2 inspektorë të AKU, Gjykata e Fierit ka vendosur masën arrest me burg për një nga inspektorët dhe tjetri në arrest në shtëpi. Sot do të ndaj me ju raste të reja, për të cilat ka përfunduar hetimi. Fillimisht e nisim me Kadastrën, që është dhe objekti i drejtpërdrejt i njësisë anti-korrupsion. Bëhet fjalë këtë radhë për Kadastrën e Durrësit.

Ka përfunduar hetimi për tre raste. Dy rastet e para kanë të bëjnë me dhënien e lejeve të legalizimit duke mos respektuar kërkesat që kërkon ligji përkatës. Rasti i tretë është më flagrant, është printuar leja e legalizimit, i është dorëzuar qytetarit, e në fund janë dhënë dokumentet e tjera, që duhet të jepen menjëherë me legalizimin. Kjo është e kuptueshme se cilat janë interesat që të çojnë drejt shkeljes së ligjit. Rasti tjetër ka të bëjë me doganën e Korçës, ku një nëpunës ka arritur të bëhet pjesë e doganës nëpërmjet dokumenteve shkollore të falsifikuara. Veç doganierit kemi kallëzuar edhe noterin. Kemi urdhëruar që ndaj noterit të nisë hetimi disiplinor. E fundit ka të bëjë me shërbimin e transportit rrugor, ku kemi kallëzuar një rast të ryshfetit. Kemi kallëzuar dhe një sekser.

Dua të shfrytëzoj rastin që t’i bëj thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo qytetar që shantazhon dhe kërkon ryshfet për gjëra që ju takojnë sipas ligjit. Kemi nisur një investigim të gjerë me lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkitë dhe që bien ndesh me ligjin. Nisur nga një rast në Bashkinë e Vlorës për lejen e ndërtimit të dhënë ndaj një biznesi të madh, duke mos përmbushur kriteret, e për të cilën ka një kallëzim penal, kam urdhëruar ngritjen e një komisioni të posaçëm për të trajtuar çështje të kësaj natyre. Kemi konstatuar një sërë problematika, sidomos në zonat bregdetare. Po Nëse do të konstatojmë shkelje për territoret do të marrim masa. Në këtë proces kemi konstatuar se duke marrë kompetenca ekzekutive ka rivendosur në afat leje ndërtimi të dhëna që nga viti 2005, edhe pse planet urbanistike janë transformuar në kohë. Si ministër i drejtësisë do të vendos në lëvizje inspektorin e lartë të drejtësisë për çdo gjë të paligjshme. Rivendosja në afat e lejeve të ndërtimit të skaduara është e pa pranueshme. Nuk mundet gjykata të shtyjë vlefshmërinë e saj sepse merr atribute të një organi tjetër. Leja e ndërtimit jepet nga kryetari i bashkisë sipas ligjit dhe vetëm pasi janë dhënë të gjitha udhëzimet nga ekspertët. Për mua është e pa imagjinueshme që Gjykata të marrë përsipër të zgjasë apo ripërtërijë një leje të dhënë në vitin 2005”, tha Manja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: