“Kadillak e manaferra” titullohet filmi i sapoxhiruar me skenar të Bujar Alimanit dhe regji të Suela Bakos. I vendosur në vitet 1970, në qendër të filmit është vetëdijësimi mbi shtypjen në diktaturë. Ngjarjet marrin jetë në Patos mes puseve të naftës.
Alimani ttegon se skenarin e ka shkruar në 2016.
“Personazhi Marin Leka ka një jetë të zakonshme, deri ditën kur e thërrasin në Komitetin e Partisë. Një personazh si rezistenca individuale”, thotë regjisori.
Ndonëse film i shkurtër, ai rrok gjithë presionin dhe harbutërinë me të cilët përballet qytetari në sisteme jo demokratike, ku detyrimet para të cilave vihesh, janë pothuaj të paimagjinueshme.
Alimani thotë se filmi bazohet në ngjarje të vërtetë.
Titulli përbashkon një industri gjigande të largët dhe një bimë të egër e krejt lokale, përballë pusesh me naftë.
Për Alimanin manaferra nuk vjen si antiteze, por si shqiptare.
Gjeneza e filmit, pos manaferrave, është fëmijëria e Alimanit dhe kujtimet në qytezën buzë puseve. Ndaj pyetet se sa mbetet e pranishme fëmijëria edhe kur rritesh edhe kur je larg, ai pohon: “Fëmijëria mbetet e pashlyer”.
Në fund, kur filmi ka kryer xhirimet, në rolin e skenaristit, ai lexon edhe mesazhet për ditët tona. Alimani thekson se filmi është një metaforë e rezistencës.
Xhirimet e filmit u shtynë për disa muaj për shkak të karantinës e pandemisë. Regjisorja Suela Bako, risjell në kujtesë qasjet e saj të para për skenarin e Alimanit. Ajo thotë se skenari ishte mashkullor e sfidues.
Ndonëse bëhej fjalë për skenarin e një regjisori ajo gjeti mbështetje për konceptin e saj regjisorial, duke pasur duar të lira për t’i dhënë ngjyrimet e veta.
Për filma që kthehen pas në kohë, vështirësitë e mëdha nisin me skenografitë që duhen krijuar, kaq të zorshme në një shtet, ku dëshmitë e së shkuarës, janë shpërbëre, herë si nevojë për t’u shkëputur e herë si lakmi për të marrëe.
Bako shprehet se Patosi na ndihmoi me dekoret e lagjet.
“Filmit nuk i mungon asgjë e epokës ku vendoset”, thotë regjisorja.
Xhirimet që rigjallëruan Patosin, rimorën në vëmendje zonat periferike ku jeta dhe kujtimet mund të rikrijohen me gjuhe filmike.
Marin Leka ia del të zgjohet, por zgjimi i një individi të vetëm në shoqëri të përgjumura nuk garanton asgjë. Megjithëse, filmi tregon se fitoret e vogla, janë hapa gjigande. Pritet që “Kadillak e manaferra”, pas postproduksionit të marrë pjesë në festivale nga vjeshta.