NGA: Valentina Madani

Fatbardh Kadilli, sekretar për burimet njerëzore në PD nuk i sheh me vend zgjedhjet e parakohshme në parti, por kërkon përpjekje serioze nga kreu Lulzim Basha dhe grupi i deputetëve të rinj demokratë që të zhvillojnë një opozitë të fortë pas humbjes së 25 qershorit. Z.Kadilli nuk e fsheh faktin se disa nga kritikë te Bashës nuk kontribuuan pr PD-në përgjatë 4 vjetëve që drejtohet nga z.Basha, por prej kryetarit fitues ai kërkon që t’i falë ata. Vendimet janë individuale thotë Kadilli për “Gazeta Shqiptare”, por sekretari i PD-së apelon për bashkimin e vlerave, pjesë marrje në vendimmarrje, më shumë mundësi gare dhe karriere, dhe aktivizim të individëve.

Z.Kadilli, ministrat teknikë publikuan dokumentin që fakton deformimin e zgjedhjeve nga blerja e votës. Çfarë do të thotë për PD-në ky dokument?

Raporti është provë e një përpjekjeje serioze dhe e një shërbimi shumë të përgjegjshëm në të mirë të vendit nga ministrat teknik. Ky raport, me gjetjet dhe konstatimet e përfshira me profesionalizëm shërben së pari, për të dokumentuar krimin elektoral. Ky dokumentim vjen nga një trupë institucionale e administratës publike dhe është krejt i ndryshëm nga raportet e partive apo organizatave jo qeveritare. Është hera e parë që kemi një raport të kësaj natyre nga një pozicion zyrtar. Është një dokument zyrtar i dalë nga institucione publike dhe që i adresohet opinionit publik, partnerëve ndërkombëtarë, dhe agjencive ligj zbatuese që të veprojnë për të ndëshkuar krimin elektoral Duhet tani që prokuroria dhe gjykatat të dëshmojnë vullnet dhe të çojnë deri në fund përpjekjet e nisura nga raporti për të ndëshkuar krimin elektoral. Për fat të keq, shumica e opinionit nuk e ka kuptuar rëndësinë e këtij ndryshimi. Kjo për dy arsye, e para se roli i ministrave dhe drejtuesve teknik u përqesh nga propaganda e maxhorancës dhe, për fat të keq, edhe nga mbështetës të opozitës që me dashje apo pa dashje krijuan keqkuptim rreth rolit të ministrave dhe drejtuesve teknikë në këto zgjedhje. Marrëveshja politike e 17-18 majit kishte si qëllim garantimin e procesit të zgjedhjeve, i cili nuk mund të vinte vetëm si shprehje vullneti nga maxhoranca, por do të kishte edhe garantët e vet. Këta ishin ministrat dhe drejtuesit teknikë, të propozuar nga opozita. Marrëveshja nuk mund të bënte zgjedhjet, marrëveshja kishte parakushtet dhe garantët – ministrat teknikë. Këta nuk mund të ndalonin krimin elektoral, por mund ta dokumentonin atë. Këtë bën raporti.

Raporti dokumenton problemet e zgjedhjeve nga pozicion zyrtar, por çfarë prisni të ndryshojë ky raport?

Deri më sot rastet e dokumentuara të blerjes së votës apo shkeljeve të tjera ligjore në zgjedhje nuk kanë munguar. Ka pasur dhjetëra raste të filmuara dhe transmetuara në emisione investigative, por ndëshkimi nuk ka ndodhur, sepse ka munguar vullneti politik. Gjithnjë është gjetur një mënyrë që ata që blejnë vota, të mbrohen nga partia. Rasti më flagrant është ai i Korçës. Blerja e votës u filmua dhe u publikua. Shkelësit e ligjit u gjykuan dhe nuk mund të mos ndëshkoheshin, por në atë rast u gjet amnistia nga shumica e majtë në parlament. Raporti ka gjetje dhe konstatime që ndihmojnë prokurorinë të kryejë hetim serioz. Ato nuk janë për një vepër individuale, por një krim tërësor elektoral me shtrirje të gjerë, me llojshmëri të madhe dhe me përfshirje të shumë aktorëve. Tashmë mbetet të verifikohet vullneti i prokurorisë dhe gjykatave. Kemi një të dhënë të fundit, daljen sasive shumë të mëdha e të panatyrshme të parave nga bankat pikërisht në periudhën e zgjedhjeve. Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave si nastradin thotë që janë përdorur për pushime. D.m.th. ai e lidh me pushimet që shqiptarët i bëkan në prill-maj-qershor dhe nuk i lidh me zgjedhjet pikërisht në kulm fushate. Prokuroria ka një pistë serioze të shikojë se ku kanë shkuar këto para.

Si do t’i vijë në ndihmë ky raport opozitës pas humbjes se 25 qershorit?

Unë besoj se krimi elektoral mund të ndëshkohet nga drejtësia. Por, kjo nuk mjafton. E para, asnjëherë nuk e dimë sa çfarë pjese të krimit ne arrijmë të dokumentojmë dhe ndëshkojmë ligjërisht. Dhe e dyta, për rastin e zgjedhjeve nuk vlen ndëshkimi, sa vlen parandalimi. Opozita udhëhoqi një protestë të pashembullt për zgjedhje të lira e të ndershme. Për 3 muaj mbështetësit e opozitës qëndruan në bulevard për këtë kauzë. Kjo protestë pati mbështetës, por pati dhe kritikë. Pati që e kuptuan, por pati edhe që nuk e kuptuan si një kauzë të vërtetë të opozitës. Opinioni publik u dend me akuza ndaj motivit të protestës. Frika nga rezultati i zgjedhjeve dhe çështja e vetingut zunë vend dhe shpesh e vunë në pikëpyetje qëllimin e vërtetë të protestës. Sot opozita nuk i ka këto gurë në qafë. Krimi elektoral ndodhi. Të gjithë janë dëshmitarë se nuk vlen asnjë aksion, argument apo qëndrim politik, asnjë kauzë, asnjë sukses apo dështim në qeverisje. Të gjithë panë se nuk vlen politikani, mjafton paraja. Sot opozita duhet t’i rikthehet me më shumë forcë kauzës së zgjedhjeve. Sot, kur nuk kemi garë elektorale përpara, kur nuk kemi veting, a ndonjë reformë tjetër, sot kauza për zgjedhje të lira e të ndershme do të gjejë shumë më tepër besueshmëri mes qytetarëve, do të ketë më shumë mirkuptim dhe ndihmë nga ndërkombëtarët. Përpjekjet për ta shpjeguar rezultatin e zgjedhjeve vetëm me dobësitë e opozitës janë amoralitet. Asnjë dobësi apo gafë e opozitës nuk i jep të drejtë kundërshtarit të kap zgjedhjet me para. Ato para që kanë dalë lumë nga bankat nuk kanë qenë për blerë pushimet, por për të blerë pushtetin. Opozita nuk ka pse të kompleksohet as nga dobësitë e veta, as nga gabimet e veta. Aspak, opozita ka misionin të luftojë për zgjedhje të lira e të ndershme. Në parlament kjo duhet të jetë kryefjala.

Denoncimi i krimit elektoral, çelja e debatit politik dhe imponimi i çdo ndryshimi ligjor të nevojshëm për të minimizuar kapjen e zgjedhjeve. Nuk ka mision më të denjë për një opozitë se sa kthimi i zgjedhjeve.

A kanë të drejtë kritikët e Lulzim Bashës kur e bëjnë atë përgjegjës të humbjes dhe a duhen zgjedhje të jashtëzakonshme në PD?

E para, rezultati i zgjedhjeve nuk ishte rrjedhojë e vetëm asaj çfarë bëri PD-ja dhe Basha. Qartësisht, në këto zgjedhje roli i parasë të pastër apo të pisët ishte përcaktues. Natyrisht Basha është kryetari i partisë dhe nëse do të fitonim të gjithë, do thoshin fitoi Basha. Sot të gjithë thonë humbi Basha. Basha ka pjesën e kryetarit në humbje. Kryetari përcakton strategjinë e fushatës, përcakton ekipin, përcakton dhe tonusin e frymës politike. Për aq sa rezultati i zgjedhjeve është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e këtyre tre elementëve, për aq ka përgjegjë- si Basha. Ndaj çdo kritikë e fokusuar në këto drejtime, është e ndershme, pavarësisht nëse unë e gjykoj të drejtë apo të gabuar. E dyta, nuk ka më vend për zgjedhje të tjera në parti. Zgjedhjet u bënë. Demokratët ia dhanë edhe një herë besimin Bashës. Demokratët e panë atë përsëri si njeriun më të besuar për të drejtuar partinë dhe Shqipërinë.

Por, partia ka nevojë për të bërë një analizë të thellë të problemeve të brendshme dhe të dobësive të veta. Vetëm pas një analize të thellë të të gjithë ecurisë së performancës politike të katër vjetëve në opozitë dhe në zgjedhje, vetëm atëherë partia mund të marrë vendimet e duhura për ngritjen e forumeve drejtuese në të gjithë vertikalen e saj, që nga seksionet deri në kryesi.

Intervistën e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/08/25/kritiket-kadilli-per-4-vjet-disa-skontribuuan-ne-pd-ne-e-bashes-ja-tri-rruget-per-ringritjen-e-demokrateve/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb