KOSOVË

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot strukturat e Rinisë Demokratike në Gjilan, të cilët janë duke bërë përgatitjet për zgjedhjet e reja parlamentare. Kreu i PDK-së pohoi para të rinjve të partisë që ai drejton se në zgjedhjet e reja po shkojnë me qëllimin e vetëm, që Kosova të fitojë e para.

“Fitorja e PDK-së eshtë fitore e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ai shtoi gjithashtu se Rinia Demokratike e Kosovës është burim i pashtershëm energjie dhe është një nga arsyet kryesore të sukseseve elektorale të PDK-së.

“Rinia Demokratike e Kosovës është burim i pashtershëm energjie dhe është një nga arsyet kryesore të sukseseve elektorale të partisë sonë. Partia Demokratike e Kosovës e ka derën e hapur, promovon të rinjtë si asnjë parti tjetër dhe ofron vizionin më të mirë për të ardhmen e tyre. Sot, ka të rinj që nuk gjejnë dot mundësi në vendin tonë dhe po largohen. Prandaj, do të punojmë edhe më shumë që brezat e rinj mos të largohen, por ta ndërtojnë të ardhmen që meritojnë në Kosovë. Në zgjedhje po shkojmë për të fituar Kosova. Fitorja e PDK-së është fitore e Kosovës!”, shtoi Veseli.

(n.m/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb