GJIROKASTER – Policia kufitare në Gjirokastër ka vënë në pranga 56-vjeçarin, Agron Allkaj, i cili u kap në pikën kufitare të Kakavijës, me 5 kg heroinë në makinën e tij.
Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se lënda narkotike, e ndarë në 14 pako të mbështjella me natriban, ishin fshehur në brendësi të mbështetëseve të sediljeve të shoferit dhe të pasagjerit.

“Më datë 15.03.2016, në kuadër të planit të masave të goditjes së trafikut të lëndëve narkotike, në P. K.K. Kakavijë, nga punonjësit e Policisë Kufitare u evidentua dhe u godit një tjetër rast i trafikut të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Policisë Kufitare gjatë kontrollit në vijën e dytë , të ushtruar në automjetin tip Benz me targa AA 848 AL, që drejtohej nga shtetasi:
Agron Allkaj, 56 vjeç, banues Fier, kanë evidentuar disa pako të dyshimta të mbështjella me natriban të cilat ishin të fshehura në brendësi të mbështetëseve të sediljeve të shoferit dhe të pasagjerit.
Menjëherë kanë bërë bllokimin e mjetit duke njoftuar grupin hetimor si dhe Specialistët për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të imtësishëm nga grupi hetimor, i’u gjetën të fshehura pas sediljeve të shoferit dhe pasagjerit 14 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave dyshohet të kenë lëndë narkotike e llojit Heroinë, në peshën totale rreth 5 kg .
Këto pako u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin ku u gjet lënda narkotike.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë.
Së bashku me drejtuesin e automjetit udhëtonin dhe 2 shtetas të tjerë të cilët u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër për verifikim nëse kanë ose jo lidhje me këtë trafikim.”- thuhet në njoftimin e policisë së Gjirokastrës.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb