Ndryshimet në Ligjin 9863 për Ushqimin, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit së bashku me 120 inspektorë që do t’i bashkohen nga Insektoriati Shtetëror Shëndetësor, do të dalin nga Shërbimi Civil dhe do të funksionojnë me Kod Pune ka përplasur në studion e emisionit “Alert” Sekretarin e Përgjithshëm në MBZHRA Enea Hoti me juristin Jordan Daci. Hoti deklaroi se dalja nga Shërbimi Civil dhe funksionimi me Kod Pune nuk cenon largimin e punonjësve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) nga puna, pasi ky institucion ka 40% vakanca, njerëz që do të merren në punë.

“Reforma e inspektorateve futi në bazë sistemin e vlerësimit të riskut, që AKU sot e ka përmirësuar falë mbështetjes së BE. Nuk duhet të kemi frikë për largimin e punonjësve të AKU, ka vakanca dhe do të merren njerëz të tjerë .As ligji i Shërbimit Civil dhe as Kodi i Punës nuk mbron të paaftët, këto ndryshime janë të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve. Procedurat janë lehtësuar, ndërsa për raste abuzimesh mbi 40 raste janë çuar për ndjekje penale.
Nuk rrezikohen specialistët, u bë shumë mirë zgjedhja e ekselentëve në strukturat e DAP dhe ndryshimi i statusit nuk i cenon në punë”-tha Hoti.

Por ndryshe shprehet juristi Jordan Daci, i cili deklaroi se kalimi nga nga Shërbimi Civil në funksionim me Kod Pune cenon punonjësit, të cilët nëse largohen nga puna nuk kanë më të drejtë të kthehen në atë pozicion pune”.

“Sot kemi legjislacionin për nëpunësin civil. Ndryshimi i statusit cenon pavarësinë e inspektorit, nuk të garanton imunitet nga paaftësia, por nga abuzimi.
Për një vend pune paguhen 5 veta, kalimi me Kod Pune do të thotë se nëse punonjësit largohen nuk kanë të drejtë të kthehen më në atë pozicion pune, ndryshe nga Ligji për Shërbimin Civil ku ke të drejtë të kthehesh në të njëjtin vend pune apo të ngjashëm. Përsa i përket përafrimit me legjislacionin e BE, jemi mbrapa akoma pasi s’kemi çelur negociatat. Ndërsa standardet dhe çështjet e organizmit dhe filozofisë, ishim në hapin dhe rrugën e duhur, zinxhiri ushqimor dhe mbikëqyrja ka shumë probleme”-tha Daci.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb