TIRANË

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka caktuar këtë të diel masën e sigurisë “arrest me burg” për nëntë personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Kompleksi”, ku u zbulua një bazë e madhe armatimi në Tiranë.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se GJKKO ka lënë në burg të arrestuarit Flor Abazi, Paris (Bledar) Prenga, Blendi Deda, Petrit Shera, Algert Hysa, Bujar Jaupi, Festim Mustafa, Arben Sufa dhe Klodian Kulla.

Ky grup kriminal u godit pak ditë më parë, pas një operacioni nga Policia e Tiranës, FNSH dhe Forcat RENEA, ku u zbuluan e shkatërruan 18 baza që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe shitjen e armëve luftarake.

Gjatë aksionit, u sekuestruan arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb