Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin “Ice”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar 3 armë zjarri, municion luftarak dhe 4 kg kanabis, si dhe ka arrestuar poseduesin e tyre, 32-vjeçarin J. Sh.

Njoftimi i plotë:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor “Ice”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi J. Sh., 32 vjeç, banues në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), municion luftarak dhe 4 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Materialet në ngarkim të shtetasit J. Sh. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb