Gjykata e Apelit ka vendosur sot lënien në fuqi të vendimit për hetimin e Autoritetit të Dosjeve, pas kallëzimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Kujtojmë se Meta kallëzoi Autoritetin për falsifikim e shpërdorim detyre si dhe akuzon këtë institucion se ka kryer 6 shkelje.

NJOFTIMI I GJYKATES
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është shqyrtuar çështja penale që i përket ankuesit Ilir Metaj, me objekt: Ankimin ndaj vendimit “Për mosfillimin e procedimit penal”, datë 21.09.2022 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal nr. 11409, datë 06.09.2022. Paraqitur nga ankuesi, ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informim mbi dokumetat e ish-Sigurimit të Shtetit, Tiranë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 ka vendosur:

1.Shfuqizimin e vendimit datë 21.09.2022 “Për mosfillimin e proçedimit penal” të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal Nr.11409, datë 06.09.2022.
2.Detyrimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të regjistrojë procedimin penal për kallëzimin penal nr. 11409, datë 06.09.2022 dhe të kryejë hetimet përshkruar në pjesën arsyetuese të këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Prokuoria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e vendimit të gjykatës dhe lënien në fuqi të vendimit mbi “Mosfillimin e procedimit penal”.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 01.06.2023 në dhomë këshillimi, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:

-Lënien në fuqi të vendimit me Nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

Në lidhje me vendimin ka reaguar Autoriteti i Dosjeve.

Autoriteti bën me dije se është në pritje të vendimit të arsyetuar, ndërsa ka siguruar publikun se zbaton me përpikmëri parimet kushtetuese.

Autoriteti ka shtuar se hap i radhës mund të jetë ankimimi i vendimit në gjykata më të larta.

Reagimi:

Autoriteti u njoh nëpërmjet medias me njoftimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për  lënien në fuqi të vendimit me Nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë,

Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit deklaron se është në pritje të vendimit të arsyetuar dhe  siguron publikun se në veprimtarinë e tij zbaton parimet kushtetuese dhe ligjin e veçantë me të cilin normohet veprimtaria e tij institucionale, si dhe respekton parimet e ndarjes së pushteteve  dhe kompetencat që ka çdo institucion.

Parimisht, si në çdo rast kur vendimet përmbajnë detyrime për Autoritetin,  Autoriteti vepron duke zbatuar detyrimet e përcaktuara nga gjykata ose i ankimon vendimet në gjykatat më të larta.

Autoriteti vlerëson  ndjekjen e të njëjtës rrugë edhe nga institucione të tjera, sipas kompetencave, si dhe është i hapur për bashkëpunime me të gjitha institucioneve në përputhje me ligjin në fuqi të Republikës së Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: