TIRANE- Fotoja e Rames me Obamen ne vitin 2012 eshte bere shkak qe te ashpersohet gjuha mes zyres se shtypit te kryeministrise e zyres se shtypit te Partise Demokratike. Fill pas kallëzimit të Partisë Demokratike për kreun e qeverisë, Edi Rama, ka reaguar Kryeministria. Me anë të një deklarate për mediat, Drejtoria e Komunikimit, në Kryeministri pohoi se akuzat e PD janë përpjekje të dëshpëruara për tu shmangur nga reforma në drejtësi.

“Kryeministri Edi Rama shpreh edhe njëherë keqardhjen për përpjekjen e dëshpëruar të Partisë Demokratike për të mos u përballur me nevojën reale të vendit sot, që është Reforma në Drejtësi.
Kallëzimi i Partisë Demokratike për fotografinë e vitit 2012 me Presidentin Obama, kur Kryeministri i sotëm ishte në opozitë dhe akuza për financim të paligjshëm nga ana e tij të fushatës së Presidentit Obama, përben një tjetër rast për qytetarët për të parë se në çfarë niveli dëshpërimi gjendet opozita e sotme. Kryeministri Rama s’ka lidhje me asnjë lloj financimi të paligjshëm dhe i vetmi “krim” që ka bërë në vitin 2012 është se ka dalë në fotografi me Presidentin e SHBA në një kohë kur qeverisë shqiptare dhe shefit të saj i ishin mbyllur të gjitha dyert dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë vuanin rrënimin e imazhit të vendit tonë për shkak te keqqeverisjes. Ishte koha kur qeveria e Shqipërisë shpërdoronte miliona dollarë nga taksat e shqiptarëve, për të lobuar në SHBA jo për Shqipërinë, po për përbaltjen e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës me artikuj dizinformues të porositur e të paguar nga Tirana.

Edhe sot Partia Demokratike vazhdon të paguajë për të nxjerrë artikuj në gazeta të dorës së dytë e të tretë matanë oqeanit, që përpiqet t’i shesë në Shqipëri si “bomba” kundër qeverisë së sotme, e cila u prit zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë pas vitesh të tëra dyersh të mbyllura.”, citohet në reagimin e Kryeministrisë.

Më tej në reagim citohet se: “Kryeministri Edi Rama përfiton edhe njëherë nga rasti për t’i bërë publikisht thirrje Partisë Demokratike që përveç propagandës së baltës dhe kallëzimeve që janë pjesë e kësaj propagande, të merret seriozisht me nevojën historike të vendit për Reformën në Drejtësi. Një drejtësi e çliruar nga kthetrat e korrupsionit politik e financiar, do të çlirojë më në fund edhe të vërtetën e gjithë akuzave të Partisë Demokratike si edhe të vërtetën e krimeve të pandëshkuara në gjithë këto vite!

Pse i trembet Partia Demokratike këtij çlirimi të domosdoshëm për të gjithë? Pse nuk pranon Partia Demokratike që partitë së bashku të heqin duart nga kontrolli i sistemit e drejtësisë? Çfarë e frikëson Partinë Demokratike në përfshirjen e aleateve tanë strategjikë në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi? Këto janë pikëpyetjet e mëdha të Shqipërisë së sotme dhe jo fotografia e vitit 2012 me Presidentin e Shteteve të Bashkuara.”.

PD: RAMA, SHTETASI I HUAJ QË POROSITI PAGESËN 80 MIJË $, HESHTI 5 DITË, ZYRA BËN PROPAGANDË
Fill pas reagimit të Kryeministrisë për foton e kryeministrit Edi Rama me presidentin Obama, Partia Demokratike i është kundërpërgjigjur. Sipas selisë blu, reagim konfirmon faktin se Rama është shtetasi i huaj që porositi pagesën 80 mijë dollarë. Nga ana tjetër PD theksoi se Rama do paditet sërish, për shpifje.

“Reagimi i dëshpëruar i Ramës përmes zyrës së tij të propagandës konfirmon faktin së është ai shtetasi i huaj që ka porositur pagesën e paligjshme 80 mijë dollarë për të përfituar një foto me Presidentin Obama. Ky që nuk mungon të komentojë gjithçka mbi këtë rruzull, ka 5 ditë që hesht teksa zyra e tij e propagandës cilëson Reuters dhe Zërin e Amerikës si media të paguara nga Partia Demokratike.
Ndërkohë që e pret një tjetër padi për këtë shpifje të pacipë, Edi Rama vazhdon të mos ju përgjigjet pyetjeve: “Ku i mori 80 mijë dollarë Edi Rama kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë Euro? A janë këto 80 mijë dollarë para rryshfeti apo korrupsioni? Çfarë ju premtua në këmbim sponsorizuesit të 80 mijë dollarëve?” Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të mos fshihet pas zyrës së propagandës, por të dalë para shqiptarëve dhe para drejtësisë për tu përballur me të vërtetën.”, citohet në reagimin e PD-së.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: