Dritan Shakohoxha ka bërë kallëzim penal për sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, dhe përgjegjësin e zyrës juridike, Aldi Topçiu. Kandidati për president i FSHF-së pretendon se të dy po shkelin ligjin duke organizuar një asamble të paligjshme. “Pak kohë më parë u kam kërkuar drejtuesve të FSHF-së nëpërmjet një letre që u kam nisur që të heqin dorë nga tentativa për të bërë një asamble të paligjshme.

Kërkesa ishte sa njerëzore, aq edhe e argumentuar me detaje se përse nuk mund të mbahen zgjedhjet e FSHF-së më 2 mars. Mirëpo, për fat të keq, Shulku dhe Topçiu vazhdojnë të merren në mënyrë të fshehtë me organizimin e asamblesë dhe natyrisht që këtë nuk e pranoj dot”, ka thënë Shakohoxha për “Panorama Sport”.

Shakohoxha, e vërtetë është që keni bërë kallëzim penal për Ilir Shulkun dhe Aldi Topçiun?

Po, e vërtetë. Fatkeqësisht me situatën që është krijuar nuk na kanë lënë zgjidhje tjetër veçse t’i drejtohemi organeve të drejtësisë.

Pse, çfarë ka ndodhur së fundmi?

Sekretari i përgjithshëm dhe shefi i zyrës juridike të FSHF-së janë vënë në lëvizje për të organizuar asamblenë e 2 marsit. Të gjithë e dimë që kjo është e pamundur ligjërisht, sepse gjykata ka vendosur ta pezullojë asamblenë e 2 marsit. Mirëpo, drejtuesit e FSHF-së, të verbuar nga dëshira për të mbajtur pushtetin me çdo kusht po e fusin futbollin shqiptar në një qorrsokak të frikshëm.

Çfarë doni të thoni?

Po i çojnë njerëzit e familjes së futbollit në një asamble të paligjshme. E kam për detyrë të informoj jo vetëm opinionin publik, por së pari njerëzit e futbollit se kjo është një rrugë pa krye. Nuk mund të dalë askush kundër vendimeve të gjykatave. FSHF po i merr më qafë një pjesë të madhe të këtyre njerëzve, sepse po i çon ata me forma nga më të ndryshmet, qoftë edhe duke i detyruar, në një asamble që nuk e lejon ligji të zhvillohet. Nuk po e shpik këtë, por është e faktuar me një vendim gjykate. Nuk mundet që disa njerëz të papërgjegjshëm, të cilët duan të mbajnë pushtetin në federatë me çdo çmim, të marrin në qafë futbollin. Realisht më vjen keq që po tentojnë ta fusin futbollin në kolaps.

Sipas jush, pse po tentojnë drejtuesit e FSHF-së të bëjnë me këmbëngulje asamblenë, ndërkohë që gjykata e ka pezulluar atë?

Sepse duan të mbajnë pushtetin e tyre me çdo kusht dhe pak rëndësi ka pastaj se çfarë ndodh në të ardhmen me futbollin. U bëj thirrje të gjithë njerëzve që kanë marrë ftesë për këtë asamble që të mos bien pre e mashtrimit, sepse edhe nëse zhvillohet asambleja, ajo është nul. Nuk do të njihet. Vendimet e çdo asambleje regjistrohen në gjykatë dhe nuk ka se si të ndodhë kjo ndërkohë që vetë gjykata e ka pezulluar atë. Është absurde. Thjesht disa njerëz do të vuajnë pasojat që parashikon ligji në këtë rast.

Nëse bëhet asambleja, ju do të merrni pjesë?

Nuk mund të marr pjesë në një aktivitet të kundërligjshëm. Të marrësh pjesë në asamble, kriminalizohesh personalisht që do të thotë se edhe përgjegjësinë e ke personale, ndaj po u tërheq vëmendjen të gjithëve. Unë i respektoj ligjet, nuk i shkel ato. Nuk e kam bërë kurrë këtë. Disa të marrë që duan të sfidojnë vendimet e gjykatave dhe duan ta çojnë futbollin në kolaps, nuk mund të merren si shembull.

UEFA dërgoi një grup ekspertësh për të monitoruar zgjedhjet… A keni ndonjë dijeni për raportin që ata mund të kenë bërë?

Nuk kam dijeni, edhe pse në fakt ka shumë “zhurmë” se ai raport i ka ardhur presidentit të FSHF-së dhe nuk po bëhet publik. Logjika më thotë se nëse ai raport do të kishte qenë “pro” federatës dhe do të nxiste zhvillimin e asamblesë më 2 mars, FSHF do ta kishte publikuar me kohë. Do ta mbante flamur sa herë që ndonjë shkresë e UEFA-s vjen në adresë të tyre. Fakti që nuk e publikojnë, do të thotë se diçka nuk shkon. Por ama, është shqetësuese që kemi mbërritur në këtë pikë.

Në cilën pikë?

Kemi arritur në atë nivel alarmi që UEFA sjell në Shqipëri edhe ekspertë për zgjedhjet rajonale. Kaq i madh është shqetësimi dhe abuzimi që bëhet këtu. Kjo është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës.

Pse?

Sepse dikush do ta çojë marrëzinë deri në fund dhe të mbajë pushtetin me çdo kusht, edhe duke shkelur ligjin, edhe duke sfiduar gjykatat. Është e pabesueshme edhe ta mendosh. FSHF ka ende 4 muaj për t’i zhvillua zgjedhjet sipas statutit të saj, ndaj nxitimi me symbyllur i tyre nuk gjen justifikim. Për mua anëtarët e familjes së futbollit nuk janë varka për të hedhur lumin, por ura për të ndërlidhur të ardhmen. Futbolli është një lojë në fund të fundit dhe “Fair Play” duhet të mbizotërojë.

Çfarë prisni më 2 mars?

Shpresoj që drejtuesit e FSHF-së të reflektojnë dhe të heqin dorë nga ideja që të shkelin ligjin. Shpresoj gjithashtu që edhe komuniteti i futbollit të arsyetojë si duhet dhe të mos bëhet pre e abuzimit nga drejtuesit e federatës sepse nëse shkelet ligji, askush nuk i ndihmon dot./Panorama sport

Kallezimi Per Ilir Shulkun
Kallezimi Per Ilir Shulkun
Kallezimi Per Aldi Topciun
Kallezimi Per Aldi Topciun

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb