TIRANE– Pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rikonfirmoi në detyrë kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka ankimuar vendimin në fjalë.

Mësohet se ONM i ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK, që u dha në 24 korrik.

Më 24 korrik në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Xhezair Zaganjori me detyrë Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Por sot, sipas njoftimit të Institucionit të Komsiionerëve publikë, ONM ka paraqitur rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK.

Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 7 të nenit 55 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.

Ky vendim ende nuk është njoftuar. Bazuar në pikën 1 të nenit 63 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Ky është gjykatësi i dytë i lartë për të cilin ONM del kundër KPK, pasi i pari ishte kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Pasi Dedja u rikonfirmua në detyrë në 13 korrik, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb