TIRANË

Prokurori Besnik Cani ka kaluar me sukses Vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë sot vendimin për Canin duke e konfirmuar në detyrë.
Ai aktualisht është prokuror i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë.

Besnik Cani nuk është një emër i panjohur në drejtësi. Në vitin 2015 Cani u largua nga posti i drejtuesit në Prokurorinë e Shkodrës duke u transferuar në atë të Elbasanit. Prokurori Cani gjithashtu është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Nga të dhënat e siguruara dhe nga deklarimet e bëra nga vetë prokurori, KPK-ja duke iu referuar ILDKPKI-së thekson se Cani ka bërë deklarim të saktë të pasurisë.

Sipas ILDKPKI, prokurori gjithashtu ka burime të mjaftueshme financiare. Besnik Cani ka apartament 117 m² në ‘Don Bosko’ si dhe një truall 633 m² plus ndërtesë 220 m² në periferi të Tiranës, saktësisht në Paskuqan. Gjithashtu po në Paskuqan ai zotëron një sipërfaqe trualli prej 363 metra katrorë.

Njoftimi i Plote

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 23.11.2018 për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Cani, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 27.11.2018 vendosi:

Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Besnik Cani, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Transferimin e çështjeve pranë organit kompetent për inspektim e shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore sipas pikës 4 të nenit 59 të ligjit nr. 84/2016, si më poshtë vijon

  1. a) Praktikës së marrëdhënies juridiko – civile ndërmjet subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me shoqërinë “K…i” shpk;
  2. b) Dosjes së procedimit penal me nr. 1079 të vitit 2012 si dhe praktikës për përfitmin e statusit të familjes së pastrehë në bazë të vendimit nr. 14 të datës 28.03.2013 të Këshillit Bashkiak Fier;
  3. c) Çështjes nr. 1290 të vitit 2015, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan;
  4. d) Çështjes nr. 1380 të vitit 2006, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë;

Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga  z. Olsi Komici,  z. Lulzim Hamitaj relator, znj. Brunilda Bekteshi  anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve .

Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb