Megjithëse kanë kaluar thuajse 30 vjet nga rënia e komunizmit në Shqipëri, për familjet e persekutuara nga regjimi, kujtimet mbeten dhe dhimbja e historive të tyre kalon nga njëri brez tek tjetri. Zëri i Amerikës bisedoi me Eqrem dhe Elida Dakolin, të cilët rrëfyen historinë e familjes së tyre. Babë e bijë kishin ardhur për të marrë pjesë në një konferencë të Fondacionit për Përkujtimoren e Viktimave të Komunizmit me rastin e rënies së Murit të Berlinit dhe folën me Zërin e Amerikës në një vend simbolik, pikërisht tek përmendorja kushtuar viktimave të komunizmit. Pianistja shqiptaro-amerikane dhe i ati, i thanë koleges Keida Kostreci se harresa mbart rrezikun e rikthimit të një komunizmi të ri.

“Babait tim dhe familjes i morën gjithçka që kishte, duke filluar nga florinjtë por edhe krejt pasurinë të luajtshme dhe të paluajtshme, ne na nxorrën në katër rrugët e qytetit dhe ishte një dajë, dy daja që na futën në shtëpi, duke na hapur një dhomë. Dhe këtu filluan vuajtjet e familjes sime, sepse ne ishim katër fëmijë, më i madhi ishte 13 vjeç, unë isha 10 vjeç, motra ishte 6 vjeçe dhe vëllai i vogël ishte vetëm dy vjeç”.

Eqrem Dakoli rrëfente historinë e familjes së tij në një vizitë në Uashington nga Teksasi ku ai dhe e shoqja banojnë me vajzën e tij, pianisten dhe aktivisten për ndërgjegjësimin për krimet kundër komunizmit, Elida Dakoli.

Në vitin 1946, të atin e tij, Sadik Dakoli e futën në burg. Zoti Dakoli tregon se si punoi nëna për të rritur katër fëmijët, se si ai, vëllezërit dhe motra vuajtën pasojat. Eqremi vetë e filloi shkollën 6 vjeç, në një kohë kur shkolla fillonte 7 vjeç. “E para, duke qenë në punë mama, unë isha si të thuash i tepërt në familje, kështuqë ajo nuk kishte mundësi që të na qendronte pranë, dhe e dyta ishte sepse në atë kohë në shkollë jepej nga një gotë qumësht, me miell qumështi kështuqë ne ishim të kënaqur që pinim një gotë qumësht”, thotë ai.

Që në vitin 1946 kur u burgos, të atin e Eqremit, e çonin herë në një burg të Durrësit, e herë në një tjetër, madje edhe në Peqin herë-herë dhe çdo javë nëna e tij me fëmijët, që babanë pothuajse nuk e njohën, e vizitonin. Deri në vitin 1951.

“Kur vdiq as nuk na lajmëruan. E kemi marrë vesh një javë pas vdekjes. Na thonin që ishte sëmurë por në fakt ai kishte vdekur. Vetëm një polic zemërgjerë e thirri nënën veç dhe i tha shiko, mos hajdeni kot, se mama i çonte kos, demek si i sëmurë. I thanë shiko se ai ka vdekur, ka një javë dhe e varrosën natën”, thotë zoti Dakoli.

Megjithëse në burg u kishin thënë që ishte i sëmurë, disa policë i thanë familjes së Sadikun e kishin helmuar. Historia e familjes, jo vetëm nga i ati por edhe nga nëna, gjyshi i së cilës ishte vrarë, e ka bërë Elidën të gjejë një pasion tjetër përveç pianos. “Duke qenë këtu më jepet një mundësi sidomos duke ditur dhe çfarë ka kaluar familja ime, më jepet një mundësi, një platformë ku unë të jem në gjendje të flas, dhe të edukoj brezin e ardhshëm dhe amerikan mbi vuajtjet e komunizmit.”

Fondacioni për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit do të bëjë një dokumentar për historinë e familjes Dakoli. “Do të shkojmë në universitete të ndryshme dhe do të flasim për historinë e Shqipërisë, vuajtjet që njerëzit kanë kanë kaluar gjatë komunizmit dhe në një farë mënyre të edukojmë brezat e tanishëm për dëmet që sjell komunizmi.”

Eshtrat e babait të Eqremit janë mes atyre të rreth 6 mijë viktimave të zhdukura të komunizmit që nuk janë gjetur.

“Me gjithë përpjekjet që kemi bërë, edhe sot e kësaj dite ne nuk e dimë se ku është varri i babës sim. Na ngel peng.”

Elida tregon se në Shqipëri vitin e kaluar, kishte pasur një takim me nënkryetaren e Parlamentit, Vasilika Hysi, e cila i kishte folur për projektin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) me financimin e BE-së, për kërkimin e eshtrat e gjyshërve dhe baballarëve që janë vrarë gjatë komunizmit.

“Më pas mora vesh që ishte bërë inaugurimi, ishin hedhur fondet, ishte bërë një party e madhe, njerëzit që duhej të ishin në inaugurim, që janë marrë me vuajtjet e komunizmit nuk u ftuan”.

Ajo është e zhgënjyer që pothuajse nuk është bërë asgjë dhe mendon se nuk ka vullnet nga autoritetet në Shqipëri për ta realizuar. Dy vjet pas fillimit të projektit janë identifikuar vetëm eshtrat e dy personave, ndërsa prokurorët nuk kanë miratuar gërmime të mëtejshme.

Zoti Dakoli thotë se gabimi më i madh do të ishte harresa. “Gjithmonë duhet t’i kujtojmë viktimat. Duhet t’i kujtojmë viktimat e komunizmit, sepse nëpërmjet kujtimeve, i mbyllim rrugën edhe krijimit të një komunizmi të ri, në të gjithë rruzullin tokësor, por sidomos unë e kisha për Shqipërinë, sepse shoh që janë shenja të këqija që edhe në Shqipëri po ripërsëritet regjimi i egër komunist.”

Por çdo të thotë për një prind të rrisë fëmijën në kushtet e hijes së komunizmit dhe vuajtes së familjes? Për ta kaluar historinë në breza, zoti Dakoli ka bërë një libër që t’ua japë fëmijëbe dhe nipërve dhe mbesave.

“Për prindin fëmija është gjithçka, t’i rrisim, t’i edukojmë sa më mirë dy fëmijët, që të paktën ne e pësuam, këta të jenë të lumtur dhe të kalojnë sa më mirë. Kështuqë gjithë jetës jemi marrë me fëmijët. Kam 10 vjet që rri me Elidën dhe jam krenar se po rris edhe fëmijët e Elidës”, thotë ai.

Ndërsa Elida, në krah të të atit, thotë se përpiqet ta përjetoj, ta imagjinojë se çfarë ka kaluar familja e saj, por është vërtet shumë e pabesueshme.

“Prandaj dhe them që nuk duam ta harrojmë të kaluarën se do të përsëritet, nëqoftëse do t’i vinim vizën. Është shumë e vështirë për mua të përceptoj se si kanë jetuar prindërit tanë dhe janë përpjekur të tregohen të lumtur sikur çdo gjë është perfekte, vetëm e vetëm që ne të mos ta vuanim në atë farë feje.” /Voa/ 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb