Publikohen disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’, i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit.

Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili është frut i një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur të disa prej grave dhe vajzave shqiptare që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, e me rradhë:

Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Hatixhe Kopliku, Nafije Kopliku, Vebije Bushati, Budije Bushati, Adile Kazazi, Antonela Dostanishta, Nafije Stërmasi, Luçije Saraçi, Adile Meta, Qeuthere Meta, Feride Damnori, Vitore Ashta, Fetije Vuçiterni, Zehnije Gjylbegu, Xhyhere Kazazi, Luçije Malaj, Sadije Kazazi, Lezinë Toni, Zade Muka, Hava Repishti, Luçije Kurti, Rukije Bushati, Shaqe Logoreci, Qamile Myftija, Marie Ndokëllia, Rozë Çefa, Çilë Staku, Shaqe Marku, Lajde Arapi, Lutfije Barbullushi, Syme Muka, Zenepe Kraja, Fahrije Kazazi, Naxhije Curri, Nexhi Plaku, Lizë Vukeli, Bade Kjaraj, Hava Baçi, Xhehadire Boriçi, Vitore Kalaj, Katerina Benusi, Sofije Baja, Lenë Pjetri, Dava Markagjoni, Mrika Markagjoni, Marta Gjonmarkaj, Bardha Gjon Markagjoni, Kristina Gjomarkaj, Çelestina Gjomarkaj, Mrika Pervizi, Prena Pervizi, Kune Miraka, Sulltana Dine, Vera Dine, Agime Dine, Hamide Çela, Vera Dine, Kadrije Cami, Sanije Sulaj, Meliha Sulaj, Vashe Kola, Prena Llesh Gjeçi, Gjystina Seku, Ilda Melgusha, Agime Pipa (Aranitasi), Terezina Pali, Liza Pali, Adile Boletini, Nasibe Kazazi, Ana Daja, Dila Zef Ndoja, Zyraka Mano, Shanisha Dosti, Zojë Gjeloshi, Drane Stakja, Elena Luli, Sabiha Kasimati, Marije Deda, Marije Shllaku, Biçe Pistulli, Sadije Kazazi, Gjyzepina Çoba, Marta Doda, Frida Satedini, Vitore Kuka, Gjela Llesh Biba, Bardha Cub Marku, Liza Llesh Mali, Bardha Mark Bushkola, Marije Tuci, Olimbi Baruti, Angje Kovaçi, Bedrije Ashikja, Musine Kokalari, Motër Gjeorgjina, Liljana Radovani, Laura Keqi, Mrike Pepa, Mrike Zadeja, Angjelina Shantoja, Naime Koçi, Sheriar Sefa, Vitore Shllaku, Liza Gjon Voci, Nina Shiroka, Laje Mehmeti (RRema), Feride Beshiri (Quku), Hasije Ulqinaku (Quku), Sofije Kali, Çile Gjush Larja, Nurfezo Koprencka, Sanije Gjylbegu, Emilja Shestani, Marije Bregu, Vida Radovani, Nedrete Pipa, Motrat e Osman Kazazit, Safete Jusif Sokoli, Çiljeta Simoni, Lutfije Buashati, Sadije Bushati, Olga Schëeizer Libohova, Evelina e Ndoc Naraçit, Geraldina Apony-Zogu, Hilda Zyma. Marie Rafael, Zade Muka,Rukije Bushati, Hajrie Vrioni, Emine Gjyrezi, Xhemile Beqir Komi, Hedije Dume Repishti, Syme Muka, Fetije Vuçiterni, Sebije Puka, Marjeta Serreqi, Dhurata Sokoli, Klara Miraka (Merlika), Asije Habili, Sose Nik Sokoli, Liri Cenaj, Rudina Dema, Adelajde Miraka, Drane Jakja, Syriha Hasi, Aishe Gogaj, Luçija Kaçaj, Gjyljana Malaj (Pervizi), Nadide Kasaruho, Nadire Kërçiku (Peshkëpia), Shpresa Ballolli (Merdani), Makbule Frashëri, Mishan Çini, Gjyslyme Dervishi (Leka), Natali Arkandi Rozengolc (Pengili), Vigelmina Vitalij Kovaleshko (Veshi), Rukije Rama, Tefta Tasi, Liri Lubonja, Kozara Kati, Shpresa Ngjela, Vera Bekteshi, etj.

Zade Muka e Pertefe Mulleti

(1896 – 1965) (1915 – 2000)

Kur qe 60 vjeçe, mbesa e saj me gazin e rinisë së parë, e pat pyet: “Pse nëndaje edhe e plakun, faqet i ke të kuqe dhe je prapë e bukur”?! ajo i qe përgjigj tue qeshë: “- Jam vajzë Ulqini, e rritun me voj ullini.” Lindi në Ulqin para një shekulli dhe u martua në Shkodër me Ramazan Mukën. Lindi 18 fëmijë, nga të cilët 6 i jetuen (një djalë e pesë vajza). Ishte grua shtatnaltë, me fytyrë të rrumbullakët. Flokët ngjyrë kafe, i rrethonin si kunorë atë. Familja e saj ishte e mbushun nga gazi i fëmijëve, gaz që u pre me ardhjen e sllavo-komunistëve. Qyteti, në gjendje shtetrrethimi, u mbush nga burgjet, kurse gratë u veshën me të zeza. Në bazë të listave të hartueme me zell, skuadrat partizane ushtronin kontrolle të njëpasnjëshme. Ma mirë me thanë e krehën disa herë qytetin e zymtë.

Në këto kushte, Nana Zade strehoi në shtëpinë e saj nipin e shtëpisë, Sheuqet Mukën dhe dhandrin e kësaj shtëpie Sali Vuçiternin, që të dy nacionalistë të njohun, veprim ky shumë i rrezikshëm për kohën.

Sa herë trokiste dera e oborrit, të dy burrat i fusnin në strehimin e përgatitun me shumë kujdes, që s’ishte gjë tjetër veç një zgavërr në mes të qemerit të shtëpisë (harkut me gurë të derës së poshtme të ahurit dhe dyshemesë së dhomës së pritjes). Mbas këtij veprimi, njena nga vajzat dilte të hapte derën, ndërsa Nana Zade e vajzat e tjera qëndronin drejt, si të ngurosuna, thuajse gatitu, se e dinin që do të hynin policët.

Ishin mësue me këto kontrolle. S’duhej t’u lëvizte asnjë muskul i fytyrës, s’duhej të jepnin asnjë shenjë dobësie; rojet s’duhej të kuptonin gjë, pra. (Të mos harrojmë se qenë vajza shtëpie me moshë nga 20 vjeç e poshtë). Zemra e tyne e dinte se sa rrihte, derisa kontrolli përfundonte. Sa herë netë pa gjumë kaluen ato duke ba roje? Sa herë fshehën sendet komprometuese, për dy vjet, (dhjetor 1944-tetor 1946). “Na dridhej zemra, edhe kur lëvizte gjethi i plepit”, – tregonte njena nga ato. “Kur u vranë Jup Kazazi e Seit Kazazi, të strehuem afër nesh- vazhdon një tjetër- ne u tmerruem, se e dinim që edhe tek ne, do të ndodhte po ashtu”. Në këto momente kritike, Nana Zade e të bijat kishin edhe dhimbjen e djalit të shtëpisë, Zijasë, të cilin komunistët shqiptarë ia dorëzuen atyne jugosllavë. Gjyqi qe ba në Prishtinë dhe e kishte dënue me 7 vjet burg, që i vuejti në burgun e Nishit. Asnjë mundësi me e ndihmue. Asnjë lajm prej tij.

Çdo gja në shtëpi u grabit. Familjes i mbeti peng sekuestrimi i librave me vlerë e ndër ta koleksioni i “Fjamurit” të Arbërit të Jeronim De Radës. E kur, ma në fund, djali do të vinte i liruem, nana e lumnueme, i tha: “Të gjitha gjanat tuaja m’i morën policët, por amanetin tand, fletoren me vjersha të atij djali kosovar, nana t’i ka ruejt në gjoksin e saj. Vetëm këto, komunistët s’mundën me m’i marrë”. S’e dinte Nana Zade, se ai djalosh, Haki Tahja, qe pushkatue nga serbët, sepse kishte vra Miladin Popoviqin.

Nana Zade, në rininë e saj kishte përjetue vdekjen e tre vëllazënve të saj, si dhe të një motre, por u plagos ma shumë nga vdekja e parakohshme e së mbesës së saj, Sabahet (Donika) Mulletit. Ajo, e ardhun nga Kavaja, ku s’kishte shkollë të mesme, ndiqte Pedagogjiken në Shkodër. Sa herë erdhi ajo në shtëpi me lot në sy se keqtrajtohej nga drejtoria apo të rinjtë komunistë: i kërkonin të mohonte se ishte mbesa e Qazim Mulletit, por ajo pat qëndrue: “Kam qenë, jam e do të jem gjithmonë mbesa e tij”. Nga vuajtjet, u sëmur. Ilaçe për të nuk gjindeshin dhe sapo kishte hyrë në maturë, vdiq. Ishte koha kur kishte fillue me u këndue kanga “Luleborë”. E ajo ishte e tillë.

Vitet kalonin dhe nana e vajzat veç punonin, për të mbajtë, tashti në Shqipni, djalin që ishte prapë në burg. Nana Zade kishte dashuni sidomos për nipat e mbesat e shumtë. Mori pranë vetes edhe Bardhën, motrën e Sabahetit.

Dhe ajo nuk kishte mundësi të ndiqte të mesmen në Kavajë, kështu që e kreu pranë gjyshesh së saj. Asaj dhe tezeve, ajo edhe sot i’u asht shumë mirënjohëse për këtë gjest të madh humanitar. Tek priste me padurim lirimin e djalit, më 1965-ën ajo vdiq, me sytë e ngulun në mur, ku varej portreti i tij.

Në sa vajzave që jetonin në Shkodër, fati iu doli vonë (njena s’u martue), në Tiranë, vajza e madhe e Nanë Zades, Përtefi, ishte martue në vitin 1932 me Haki Reshit Mulletin, familje e vjetër dhe atdhetare.

Ajo pat 4 vajza dhe një djalë, Tartushin, të sapolindun, kur iu arrestue i shoqi. Në kujtesë e këtyne vajzave ende ka mbetë dhe nuk do të shuhet një moment i jetës së tyne. Sigurimi i Shtetit kishte thirrë në hetuesi nanën e tyne. Fëmija i vogël 3 muejsh qe lanë në shtëpi. Pse u thoshte grueja e shkretë: “Më lëshoni, se djali ka kohën për t’u ushqye”, kriminelët e kuq s’kishin gajle. Kur vajzat u kthyen nga shkolla (ma e madhja 12 vjeçe), gjetën vëllaun e tyne duke qa me dënesë. Pranë djepit ishte ngulë qeni i shtëpisë (Luli) që bante roje. Me të lehunat e tij, ai i udhëhoqi vajzat e mjera, që mbanin foshnjën në krahë, drejt hetuesisë. S’ka penë të përshkruajë skenën që u zhvillue aty; nana në birucë dhe matanë rrugës pesë fëmijë që e prisnin me padurim.

Ndoshta asht e tepërt të kujtojmë grabitjen që iu ba familjes nga proçesi i konfiskimit të pasunisë. Përtefit i ra barra e randë të mbante familjen. Sa zor që ishte. Çdo herë që shkonte ta takonte burrin në burg do të merrte edhe fëmijët. Mendoni vogëlushin disa muejsh, që përshkonte hekurat e burgut për të përqafue babën e vet, ose e thanë ndryshe, dy duer që zgjaten nga brenda hekurave dhe tërheqin një foshnje që shikon i habitun një njeri që ende s’e njeh. Dhuratat që i jati u jepte (unaza të punueme me bërthamat e pjeshkave) fëmijët i ruanin si gjanë ma të çmueshme. Pas burgut u internuen në Kavajë. Dy prind të lodhun e të sëmurë, që banin punë shumë të rënda për të mbajtë pesë fëmijët.

Pesë fëmijë, nxanës shkolle që përjetuen skena rrëqethëse, që ua vranë gjumin: u mësuan të shohin atje njerëz të varun në degët e manave, ashtu, me gjuhën e dalë, tek lëkundeshin nga era. Çarçafi i bardhë që i mbulonte dhe pllaka me fjalët e shkrueme shtrembët “anmik”. Ose, të pushkatuem, që ua ekspozonin në oborrin e shkollës. Ishte në kambë terrori i kuq. U rritën dalëngadalë fëmijët. Para se të flinin, nën drejtimin e të atit, do të luteshin: “Zot, na e ruej vedin nga armiqtë e kombit… na e ruej nanën e babën, vëllaun e motrat, të afërmit e gjithë fisin”.

Vuetjet e hallet s’kishin të mbaruem. Njena vajzë (Donika, ose Sabaheti) vdes në Shkodër. Baba thirret disa herë në Degën e Punëve të Brendshme për t’u ba spiun, e meqë ai refuzon, gjendet mënyra (inxheksion) në spitalin e Tiranës, për ta eleminue. Shkruhet, si për të dashtë me groposë një familje, komedia “Prefekti” e njerëzit, jo të gjithë, zgjasin gishtin drejt tyne. Sa në një barakë, në tjetrën. Herë me bukë e herë pa të. Halle pa mbarim. Ma së fundi familja u vendos në Shkodër dhe u rrit në mes të dashunisë e ngrohtësisë të familjes Muka, ku veçohej Nanë Zadja.

Hava Repishti

(1898 – 1980)

Ishte fatkeqësi për të që në moshën 45 vjeçe të mbetej e vejë. Ashtu edhe për 6 fëmijët që mbetën pa babën e tyne, Ibrahim Repishtin, njenin nga promotorët e Lëvizjes Demokratike në periudhën e Pavarësisë. Çfarë do të ndodhte ma vonë?

Tragjedia, në aktin e parë do të kishte arrestimin dhe torturimin çnjerëzor të djalit të madh, Samiut. Këtë nuk do ta “harronin” edhe ta groposnin për së gjalli, për ta detyrue që t’i nënshtrohej diktaturës. Nuk mjaftuen rrobat e gjakosuna, që do t’i lante me lot, por edhe do të shqelmohej nga rojet e burgut sa herë edhe ajo vetë. Në fund do të ishte e pranishme në gjyq. Djalin 22 vjeçar do t’ia dënonin me 15 vjet burg. Ndigjoi aty edhe thirrjet histerike të disave që përmendnin litarin. Me zemër të copëtueme, me fëmijët rreth vetes, do të zvarritej në shtëpi. Vuajtja do ta pasonte vuajtjen.

Do të arratisej edhe djali tjetër, Fahriu. Për pjesën e familjes që mbeti, tashmë qe përcaktue internimi që u vuejt për tre vjet në kalanë e Beratit dhe në kampin e Tepelenës. Me sytë e saj, ajo pa se sa jetë njerëzish u këputën si gonxhet e sapoçelura. Përjetoi ngjarje tragjike, që nuk mund të imagjinohen. Sa zane të rinj u mbytën, sa shpirta fisnikë s’jetuen ma. Në Tepelenë, në një kapanon “jetonin” 200 vetë. “Isha e privilegjueme, -do të kujtonte ajo, – se kisha një llampë me vojguri. Kishte nana mirditore, që ma kërkonin atë natën, për të pa nëse i kishin foshnjet e tyne gjallë..! Një nuseje malësore, e bukur si drita, aty i vdiqën të tre fëmijët e saj e ajo mbeti vetëm, qyqe e vetme.”

Më 1953 kthehet në Shkodër dhe “sistemohet” bodrumeve, mbasi çdo gjë tjetër ia kishin konfiskue. Tashti duhej të punonte që të mbijetonte, si dhe të ndihmonte sadopak të birin e burgosun. Me thesin në shpinë, diti ajo se si arriti në dyert e burgut në Urën Vajgurore, ku qe ai. Atë natë dhjetori 1953, ajo s’do ta harronte kurrë, sikurse nuk harron edhe sot i biri, … ndoshta edhe ai roja xhahil, nëse asht gjallë, e që kryente shërbimin atë natë. U la mbas dere për 24 orë rresht. Shiu që binte, natën u kthye në borë. Të nesërmen, të pranishmit, panë se si ishte krijue një shtatore prej akulli: ishte ajo që kishte “përqafue” thesin me ushqime e plaçka. E kujtuen të vdekun. I thanë djalit: “Nana të asht ngurosë nga të ftohtit”. Mirëpo ajo, mbase nga zemra e saj e ngrohtë, shpëtoi. Arriti ta takojë djalin. Lot mallëngjimi, fjalë shprese, lot, kurajo… Nuk e harroi derisa vdiq.

Pas daljes nga burgu, ai u arratis. E dinte se këtu do të asgjësohej. Pesha e përndjekjes asaj nuk iu nda ma. Sa herë zemra e saj u drithërue nga këto vuajtje, nga mjerimi, nga fukarallëku, por të gjithë, e dinë gjithashtu, se sa dinjitoze ishte e sa krenare për fëmijët që kishte rritë. Shpresoi se një ditë do t’ i takonte. “Edhe fytyrat ua kam harrue”, thoshte nganjëherë. Komunizmi zgjati shumë në Shqipni e ajo vdiq me zemrën e plasun pa e realizue këtë dëshirë të fundit.

Luçije Kurti

(1896 – 1976)

Lindi në Shkup dhe ishte vajza e vetme e Kolë Gjinit prej Shkodre. Martohet në atë qytet me Zef Palokë Kurtin, që ishte djali i drejtuesit të bandës së parë muzikore të Shkodrës e që shërbente si mësues i Gjuhës Shqipe. Kjo ndodhi më 1915. Mbas dy vjetësh, për aktivitetin e tij atdhetar, ky i fundit internohet në Austri, tue lanë vetëm gruan e djalin e parë, Ninon. Pas kthimit të tij, ajo u bë edhe nana e Biçes, Kolës, e Palokës.

Kishte fillue Lufta II-të Botërore. Një nga nacionalistët ma të shquem të asaj kohe, ishte kunati i saj, Lec Kurti, që drejtonte organizatën e ‘Ballit Kombëtar’ në Shkodër. Të kësaj rryme qenë edhe djemtë e Luçijes, të cilët edhe ndihmuen në arratisjen e Mithat Frashërit. Këtu fillojnë edhe telashet për Luçijen; i biri, Kola, për pak i vdes nga tifoja e morrit më 1945 dhe qe kujdesi i saj që e shpëtoi. Një vit ma vonë i arrestojnë djalin e madh, Ninon, të cilin ia dënojnë me 30 vjet (dënim që i ulet në 15 vjet), për t’i vuejtë në burgun e Burrelit. Po atë vit, mbas Lëvizjes së Postribës (1946) ia arrestojnë edhe Kolën, i cili pas dënimit prej 10 vjetësh, që e kreu tue punue në Beden, Lekaj e Çengelaj, u dënue edhe me 7 vjet internim në Çervin, Levan e Shtyllas. Ndërkohë, djalin e vogël, Palokën, ia dërguan ushtar në repartet e punës, që u përngjisnin shumë burgjeve a kampeve të punës. Për Sigurimin e Shtetit shqiptar kjo nuk mjaftonte. Më 1951-in i arrestojnë edhe Biçen, sepse ajo, në votimet e kryeme, kishte hedhun kokrrën në kutinë bosh (d.m.th. në atë antikomuniste). Mbas 6 muajsh hetuesi, u dënue me 2 vjet me kusht, kurse të shoqin me 12 vjet burg. Një familje e tanë në burg. 48 vjet për njerëz të nderuem, të kulturuem e mbi të gjitha, të pafajshëm. “Faji” i tyne i vetëm ishte se menduen në kokën e tyne e jo me klishenë e ofrueme nga komunistët.

Kush do të kujdesej për ta përveçse prindit? Në kushtet kur i shoqi qe i sëmurë me zemër, e gjithë barra ra mbi Nanë Luçijen. Ku të shpërndahej ma parë? Në shtëpi, për t’i shërbye burrit të sëmurë, apo fëmijëve që qenë shpërnda në burgjet e zeza? Ma shumë rrugësh se në shtëpi. Sa te njeni djalë, te tjetri. Më 1952, kur i vdiq burri, ajo nuk u ndodh në shtëpi dhe arriti vetëm në momentin e varrimit. Si për të gjitha ato gra që u ra barra e rëndë e kujdesjes për njerëzit e zemrës, që përpëliteshin nëpër burgje, edhe ajo sakrifikoi gjithçka në dobi të tyne. Shiti çdo gja, u lodh e u këput, por bijve të vet, përveç ushqimeve, për të cilat ata kishin nevojë, u çoi atë ç’ka ata kishin ma shumë nevojë, dashuninë e saj pakufi.

Nuk qe e thanë se me lirimin e djemve, të binte në qetësi. Nipi i saj, Ndoka, që në popull për të flitej veç mirë, pasi pushohet nga puna, kuptohet për shkaqe të biografisë, vdes në moshë të re. Vdiq mandej shpejt edhe vetë. Edhe kur diktatura ishte në grahmat e fundit, për pjesëmarrje në demonstratën e 14 janarit 1991, keqtrajtohen nga sigurimsat edhe nusja e të birit e mbesa. Fatmirësisht, ajo vetë nuk i përjetoi këto çaste, këto vuejtje të fundit të filizave të trungut të saj./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb