Emisioni investigativ Vetting, News24
Mustafa Kabili, ka jetuar për shumë vite në Paskuqan, në një banesë që u shkatërrua nga tërmeti i nëntorit 2019. Pas tërmetit, gjithçka ndryshoi për familjen tij për keq. Ajo që duhet të ishte një mundësi e re për një jetë më të mirë, u shndërrua në një kalvar vuajtjesh pafund. Fatkeqësia natyrore ia shkatërroi banesën, por pas saj institucionet që duhet ta ndihmonin e lanë më të shkatërruar se sa vetë tërmeti.
“Ra tërmeti, erdh grup pune nga shtetei, u vendos DS4, u vendos do shëmbej, do bëhej shtëpia e re. Sa u bë shtëpia e re, erdhi grup pune, kalonte unaza. Më thoshin jo, nuk të kap, bëra kërkesa nuk po më jepej përgjigje. S’po më jepej përgjigje as nuk po më linin të takoja drejtorin. Jo, mos e lini ta takojë, doli një punonjëse”, rrëfen Mustafa Kabili.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit mori përsipër rindërtimin, por sa nisi të rikonstruktohej shtëpia, një grup i dytë inspekimi u paraqit në terren për të kryer matjet. Mbi shtëpinë e tij do kalonte Unaza e Tiranës, një mantel ankthi mbulonte familjen…
Ankthi shtohej më shumë sepse askush nuk i jepte një përgjigje: A do të prekej banesa e re nga projekti i Unazës së Re?
“Shtëpia vazhdonte, sa nisi të ndërtohej filloi dhe rruga… nuk e di vetëm në këtë vënd bëhen këto gjëra”, vijon ai.
Në fakt, ndihma nuk u dha asnjëherë siç duhej!
Vetë rindërtimi i banesës kaloi nëpër një proces të ngadaltë dhe jotransparent. Pas shumë ankesash shtëpia u rindërtua, por familjarët nuk qëndruan asnjë ditë në shtëpinë e re.
Por çfarë ndodhi?
Nga 130 metra katrorë banesë që zotëronte familja Kabili, kompania private kishte ndërtuar vetëm 80 metra katrorë ndërsa 50 m2 i janë hequr pronarit, i cili e kishte shtëpinë në proces legalizimi.
Mesa duket Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte pritur investimin e fondeve nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për të dërguar eskavatorin, që do të shkatërronte banesën e ndërtuar.
“I lutem kryeministrit, të gjithë dokumentacionin e ka. Të bëhem dhe unë me shtëpi. S’kam asgjë. Njeriu po nuk pati ushqim, veshmbathje, strehim ka mbaru”, thotë kryefamiljari.
“Punë 6-8 muajsh. Akoma s’kishte përfunduar banesa, erdhi problemi se do kalonte Unaza. E vjetra u shemb, pa u ndërtuar tjetra. Do kalonte Unaza. Pa u futur ne në banesën e re, erdhën e shembën edhe të dytën. Gjithë mundi e djersa e kemi kursyer me sakrific të madhe e ekmi ndërtuar atë shtëpi për 20 vite”, tregon e prekur bashkëshortja e Mustafa Kabilit.

Bashkëshortja e Mustafa Kabilit
Burrë e grua dhe dy fëmijët u braktisën nga shteti dhe ky ishte vetëm fillimi i një periudhe të vështirë. Edhe pse kryefamiljari është punonjës në Policinë e Burgjeve, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, atij i është bërë një padrejtësi, duke ngelur pa shtëpi dhe pa pronë.
“Paguaj 400 mijë lekë muaj për muaj me qira. Për ne aq e vështirë sa më s’ka, ka që në 2019 deri në 2025, ndërro një shtëpi, merr shtëpi me qira. Kësaj i thonë me vra të mbyturin, ajo shprehja që është. Nuk e di ku të përplasemi, ku të shkojmë nuk di ku të shkojmë vetëm zotit me ngri duart lart. Nuk di ku të shkojmë…”
Punonjësi i Policisë është endur sa në një institucion në tjetrin për të gjetur drejtësinë, por deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë situatë.
“Më tha kryetari i bashkisë (Rakip Suli), ndodhi kjo, do të fusim në pallat, erdhi puna e pallatit, dështoi. Më thanë do të japim një truall, të japim shtëpinë edhe kjo dështoi”, shton ai.
(BalkanWeb)