TIRANE

“BalkanWeb” mëson se është përcaktuar tashmë treshja e gjyqtarëve që do të marrin në dorë dosjen e të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se shorti është hedhur sot pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe ka përcaktuar një treshe gjyqtarësh të kryesuar nga Flora Hajredinaj.

Pak ditë më parë avokati i Balilit, Theodhori Sollaku dorëzoi një kërkesë për gjykim të shkurtuar, por seanca e parë tek Kriemt e Rënda u ndërpre me pretendimin se Balili ka dashur që ta bëjë personalisht këtë kërkesë.

Dorëzimi i Klement Balilit ndodhi pikërisht në momentin kur dhe Prokuroria për Krimet e Rënda sapo ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim.

Ai akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim,  “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

Pas pothuajse tre vitesh arrati, Klement Balili u vetëdorëzua me 15 janar dhe kjo ngjarje bëri bujë jo vetëm në mediat vendase, por edhe ato ndërkombëtare. Vetëdorëzimi erdhi pas negociatave ku u përfshinë avokati i tij Theodhori Sollaku, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu si dhe nipi i tij,  i cili mban dhe postin e kryetarit të bashkisë Delvinë, Rigels Balili.

Kreu i policisë Ardi Veliu shkoi vetë në Delvinë për të ekzekutuar masën e sigurisë ‘arrest me burg” dhënë nga gjykata.  Ndërkohë në mesditën e 15 janarit Balili u transferua në Tiranë i shoqëruar nga drejtues të lartë të policisë së shtetit dhe eskortë me policë civilë. Fillimisht u bë ndalesë tek Komisariati nr 6, Tiranë, ku qëndroi për 30 minuta më pas u vendos në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb