I ftuari i parë në programin “Dola te Ola” këtë javë ishte politikani Nard Ndoka, i cili sikurse tha u emocionua nga kënga e re vëllezërve korçarë, “Babai im”, pasi kjo këngë merr një vlerë të veçantë për të pasi e ka humbur të atin.

Nard Ndoka u ul në poltronin e verdhë dhe u zhvesh nga petku i politikanit që jemi mësuar ta shohim.
Ai njihet si një nga figurat më paqësore të politikës, i cili përçon pozitivitet, shto edhe faktin e shprehjeve që qarkullojnë si të thëna nga ai. Vetë Nard Ndoka zbuloi se i pëlqejnë shumë nga shprehjet që kanë dalë, edhe pse nuk janë thënë nga ai.

Gjatë programit njohëm edhe anën familjare të politikanit, ai është prind i katër fëmijëve, 1 vajze dhe 3 djemve. Nardi zbuloi se ka patur dëshirë të kishte 6 fëmijë, pasi i pëlqejnë familjet e madhe, por angazhimet në politikë e kanë penguar.

Teksa në studio u shfaq një fotografi me bashkëshorten e tij, Nardi tha se ajo ka qenë suportuesja dhe kritikuesja e tij më e madhe.

Politikani është gjithashtu gjysh i një mbese dhe një nipi, të cilët i do padyshim shumë. Ai me humor zbuloi se nipërit e thërrasin në emër, pasi atij nuk i pëlqen ta thërrasin “gjysh”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb