I ngarkuar emocionalisht pas barazimit me Is landën, trajnerit Edi Reja i duhej të përballej edhe me gazetarët në konferencën e zakonshme për shtyp pas ndeshjes. Italiani 76-vjeçar nuk e priti mirë pyetjen në lidhje me të ardhmen e tij, duke shpërthyer me disa deklarata ndryshe nga ato që dha menjëherë pas ndeshjes. Ai theksoi se i ka dhënë dinjitet Shqipërisë dhe këtu punon me pasion.

Mister, e keni mbyllur karrierën tuaj me Kombëtaren shqiptare?

Me gjithë ato që kam thënë deri tani, kjo është pyetja e duhur? Flasim për futbollin këtu. Mua nuk më intereson nëse do të qëndroj apo iki, unë punoj me pasion. Kam dhënë shpirtin për këtë skuadër. I dua shumë djemtë. Pastaj duhet të merrni në konsideratë që kemi luajtur pa 7 titullarë. Me këtë duhet të merreni. Ata që kanë luajtur me Islandën, dhanë shpirtin në fushë. I kam respektuar të gjithë ata. Mund të iki që nesër dhe nuk me intereson fare, por unë i kam dhënë dinjitet kësaj skuadre, kam punuar me pasion. E dua këtë skuadër, jam mirë në Shqipëri. Por nuk dua t’ia di, unë e kam bërë karrierën time. I kam dhënë dinjitet Shqipërisë. Vetëm se në këtë edicion të Ligës së Kombeve kemi dështuar, me vetëm dy pikë. I kemi nisur mirë të gjitha ndeshjet, por nuk kemi luajtur njësoj si në fillim. Ky është aspekti psikologjik, nuk hyn fare trajneri këtu. Kemi bërë gabime individuale të papara dhe sa gola kemi pësuar në mënyrë qesharake? Kjo është analiza që duhet të bëjmë, por padyshim që edhe unë jam përgjegjës dhe nuk po mundohem t’i hedh tutje përgjegjësitë. Trajnerët janë gjithmonë në vështirësi kur nuk marrin rezultate. Por është dikush që do të gjykojë punën time, presidenti Duka, me të cilin do të flasim dhe do të gjejmë një zgjidhje. Për mua nuk më intereson, mund të iki dhe në shtëpi, jam mirë edhe aty me më pak probleme dhe bëj jetën time. Por nuk i braktis djemtë, nuk i lë vetëm sepse kanë pasur një rritje konstante dhe kemi bërë paraqitje të mira. Ndërsa në ndeshjet e fundit nuk kemi treguar veten tonë, por edhe për shkak të mungesave dhe ti duhet të manovrosh. Nga të gjitha këto, përse bëhet kjo pyetje, do të iki apo jo, çfarë sensi ka? Gjithmonë kritika, unë jam trajner prej 40 vitesh dhe gjithmonë kam folur për futbollin. Gjithsesi, i kam pranuar gjithmonë kritikat dhe kam vazhduar përpara.

Mister, ora është 12 pas mesnate dhe siç e shihni salla është plot me gazetarë, kjo edhe në shenjë respekti ndaj jush, kështu që një farë përgjigje kjo edhe për faktin që nuk jemi këtu vetëm për t’ju gjykuar, kritikuar apo për t’ju pyetur ju se kur do të largoheni, por pyetjet qëndrojnë. Atëherë nëse flasim për futboll, përse nuk luajti Asllani?

Asllani ka treguar se nuk është akoma në kondicionin e duhur. Nuk ka marrë minuta me klubin e tij dhe e pashë me Izraelin që s’kishte peshë në fushë. Nuk është akoma gati për të marrë ngarkesë kaq të madhe. Është i ri, vetëm 20 vjeç, por nuk ka luajtur fare këtë sezon.

Dikur gazetat italiane shkruanin se konsultoheshit me mikun tuaj Fabio Kapelo përpara ndeshjeve të njëri-tjetrit, pyetja është: A jeni konsultuar ndonjëherë përpara ndeshjeve të Shqipërisë?

S’besoj se Kapelo i shikon ndeshjet e mia, sepse është i zënë me komentin e ndeshjeve të Champions-it në “SKY”. Ndjek të gjitha ndeshjet në Madrid, Paris, Londër dhe ndoshta mund të lexojë vetëm ndonjë gjë për ndeshjet e mia. Më komplimenton kur fitoj dhe ka parë vetëm një pjesë të ndeshjes Spanjë-Shqipëri e më ka thënë: “Skuadra nuk është keq, ka bërë mirë në fazën mbrojtëse. Por flasim shpesh për gjëra të tjera, në aspektin familjar më shumë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: