TIRANË

Një thirrje për ndihmë ka ardhur sot nga QSUT ku përveç të sëmurëve me koronavirus, duhet të shkojnë dhe qëndrojnë në spitale dhe njerëz me probleme të tjera shëndetësore.

Fatmir Shehu nga Kukësi me origjinë por banues në Laknas tregon për gazetarin Erjon Skëndal se prej 5 ditësh ndodhet me gruan e sëmurë në spital, ndërkohë që nuk ka mundur t’i gjejë ilaçin për tiroidet, të cilin nuk e disponon as spitali.

Ai thotë se këtë ilaç bashkëshortja, e cila ndodhet në gjendje të rëndë e ka të nevojshëm deri në fund të jetës, por përkundër kësaj ai nuk sheh asnjë zgjidhje. Burri i bën apel kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për të shpëtuar jetën e gruas.

Përse ke ardhur në QSUT?
Unë kam ardhur këtu kam sjellë gruan që 4 ditë është e shtruar, vuan nga tiroidet, është bërë operacion dhe nuk gjendet ilaçet.

Si quhet ilaçi?
Ilaçi quhet takistinë ose AT10, hidrotakisterol me tre emra përfshihet një ilaç.

E ka spitali por nuk ka në gjendje?
Jo spitali nuk e ka por edhe në farmaci nuk gjendet. Kam qenë tek mjeku i familjes, tek specialisti por nuk gjendet. Duhet t’i japin thonë disa ilaçe të tjera, kokrra. Pasi i kam marrë ato kokrra nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Përfunduam në spital.

Çfarë kanë thënë mjekët?
Mjekët kanë thënë nuk gjendet ilaçi dhe do marrim të tjera. Sapo i kam marrë. Nuk janë ilaçet origjinale. Kam njoftuar 127, kanë qenë në shtëpi e kanë trajtuar por njësoj. Me këtë ilaç duhet të trajtohet deri në vdekje.

Kam shkuar në të tëra farmacitë por nuk e sjellin më sepse nuk kanë interes. Kam qenë dhe në Ministri të Shëndetësisë më kanë thënë do ta sjellim sot, do ta sjellim nesër. Gruaja tani është në gjendje të rëndë, bën vetëm serume. I kam shkruar dhe Edi Ramës në portal dhe ministres së Shëndetësisë.

Çfarë do bësh sot?
I bëj thirrje shtetit, ministres së Shëndetësisë, Edi Ramës po patën mundësi për të shpëtuar një rob, t’i japin mundësinë. Po nuk patën mundësi edhe kjo të shkojë me virusin, t’i marrë të gjithë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb